Marrëveshja për targat, Kurti: Më paralajmëruan nga Amerika

13


Në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë, duke theksuar se është bindur për kompromis për “krizën e targave” pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

Intervista pritet të publikohet në vijim, ndërsa pjesë të saj janë publikuar nga gazetari gjerman Michael Martens. “Ambasadori amerikan ‘kishte më shumë informacion se unë’ për situatën në veri”, citohet të ketë thënë Kurti, duke përmendur shqetësimet e tij për çështjen e sigurisë, por pa hyrë në detaje.

Ndërkohë, pas arritjes së marrëveshjes, Vuçiç tha se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar. Ai konfirmoi se nuk do të ketë targa të reja KM, ndërkohë që konfirmoi se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.



Huazuar nga