Interes i madh për gështenjën e Dibrës

32

Sipas të dhënave të kryeshefit të njësisë të Ministrisë së Bujqësisë Arben Mulladauti, në komunën Dibër ka mbi 270 hektar në të cilët kultivohet gështenja. Ai thotë se tradicionalisht pjesa kufitare e Dibrës posedon kushte shumë të mira për kultivimin e gështenjës

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 22 tetor – Edhe pse fshatrat kufitare të Dibrës janë boshatisur për shkak të migrimit të madh të popullatës gjatë dekadave të pas luftës edhe për shkak të presioneve të ndryshme politike, ish banorët e këtyre fshatrave siç janë Bomova, Konara, Sollokiçi, Spasi etj, vazhdojnë me një interes të theksuar të merren me kultivimin të gështenjës. Komuna e Dibrës në këtë territor të saj posedon kushte shumë të mira për prodhimtarinë e gështenjës. Prandaj pronarët të gështenjave edhe këtë vit janë teje të kënaqur nga profiti që nxjerrin nga shitja e gështenjës. Edhe këtë vit ka një rritje të prodhimtarisë të gështenjës për afro 10 për qind dhe kualiteti i është në nivel të lartë.

Sipas të dhënave të kryeshefit të njësisë të Ministrisë së Bujqësisë Arben Mulladauti, në komunën Dibër ka mbi 270 hektar në të cilët kultivohet gështenja. Ai thotë se tradicionalisht pjesa kufitare e Dibrës posedon kushte shumë të mira për kultivimin e gështenjës. Gështenja edhe këtë vit është me kualitet shumë të lartë prandaj edhe plasmani është në nivel. Pronarët presin që sivjet plasmani të realizohet pa probleme dhe njëkohësisht të ketë edhe një çmim në përputhje me çmimet të tjera që janë prezent në vend. Tradicionalisht prodhues të gështenjës janë familjet Strikçani, Fida, Dema etj. Atli Dema thotë se këtë vit prodhimi i gështenjës është i një kualiteti të lartë. Ai potencon se shumë familje dibrane të cilët kanë gështenja në fshatrat kufitare kanë edhe interes të theksuar material. Biseduam edhe me prodhues të tjerë të gështenjës nga këto fshatra, dhe ata na informuan se tradicionalisht në tetor bëhet grumbullimi i prodhimtarisë. Aktualisht gështenjat në tregun e Dibrës kanë një çmim afro 150 denar për kilogram. Çmimi kënaq sipas tyre dhe këtë vit pritet që me prodhimtarin e gështenjës të jenë të kënaqur mbi 100 familje që merren me kultivimin e gështenjës. Por, edhe këtë vit siç thonë ata, tani për tani nuk ka një grumbullim të organizuar të gështenjës prandaj pronarët përveç plasmanit të gështenjës në tregun e Dibrës atë e plasojnë kryesisht në Manastir, Ohër, Strugë, Shkup por edhe në qytet të tjera ku gështenja e Dibrës është shumë e kërkuar. Në lidhje me plasmanin e organizuar të gështenjës ka paralajmërime siç thonë ata, që një kompani nga Shkupi të organizoj një blerje të një sasie të madhe të gështenjave të cilat pastaj do të përdoren në industrinë të çokollatës në Shkup.

Gështenja e Dibrës në të kaluarën kryesisht është plasuar jo vetëm në Republikat ish Jugosllave por edhe në Francë, Itali Gjermani dhe shtete të tjera të Evropës. Ekspertët thonë se gështenja e Dibrës është organike karakterizohet me një aromë të veçantë dhe posedon nivelin e sheqerit që faktikisht përputhet me kërkesat të tregut evropian. Këta karakteristikat të gështenjës të Dibrës bëjnë që gjithmonë plasmani qoftë i organizuar apo individual i gështenjës të realizohet pa probleme si në tregu e vendit ashtu edhe të jashtëm. (koha.mk)