Së paku 23 civilë të vrarë në Zaporizhja të Ukrainës nga një sulm raketor nga Rusia

22


Gjatë ditës së sotme, në sulm raketor ndaj një kolone refugjatës në afërsi të qytetit ukrainas Zaporizhja kanë humbur jetën të paktën 23 civilë dhe 28 të tjerë janë lënduar. Kolona është përbërë nga civilë të cilët kanë shkuar t’i mbledhin nga pikat kufitare familjarët e tyre të cilët kanë dëshiruar të ikin nga rajoni ukrainas i okupuar nga Rusia, njofton The Guardian, transmeton Portalb.mk.

Autoritetet ukrainase thonë se kolona e civilëve është goditur nga raketat ruse në dalje të qytetit Zaporizhja, duke informuar se shërbimet urgjente mjekësore ende punojnë në vendngjarje.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipe gazetareske, ndërkaq sipas fotografive mund të shihen automjete të shkatërruara dhe civilë të vdekur dhe lënduar. Autoritetet e Zaporizhjas e kanë shpallur ditën e nesërme ditë zie për shkak të vdekjes së civilëve.

Nën sulme raketore mbrëmjen e kaluar ka qenë edhe qyteti Dnipro në rajonin Dnipropetrov, ku është shkatërruar një kompani transportuese. Nga raketat ruse së paku një person ka humbur jetë, ndërkaq 5 të tjerë janë lënduar.

Nën sulme raketaroe gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe në vendbanime në rajonin Mikolaiv. Raketat ruse kanë goditur një ndërtesë nëntë katëshe.

Guvernatori i rajonit, Vitalij Kim, kumtoi se nën gërmadhat e ndërtesës banesore janë bllokuar banorë, duke mos precizuar se sa është numri i tyre, njofton Ukrainform.

Sulmet raketore ndodhin në kohë kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka paralajmëruar për sot se do të mbajë ceremoni nënshkrimi për aneksimin zyrtar të katër zonave të Ukrainës pas mbajtjes së referendumeve, të cilat perëndimi i ka quajtur të rreme.

Për sot gjithashtu është paralajmëruar një koncert në “Sheshin e Kuq” për të festuar bashkimin e këtyre katër rajoneve. Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov, nuk tha nëse edhe Putin do të merrte pjesë në koncert. Një skenë me ekrane të mëdha video dhe tabela është ngritur tashmë atje, e ngjashme me atë që u bë gjatë aneksimit të Krimesë në 2014.





Huazuar nga