Fatura më të lira, Qeveria e RMV-së siguroi kushte që shkollat të mos mbajnë mësim online

15


Shkollat fillore dhe të mesme në territorin e tërë shtetit do të transferohen në tregun e rregulluar, me çka do të paguajnë fatura më të lira për rrymë. Këtë e kumtoi mbrëmë kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp në të cilën tregoi vendimet e Qeverisë për përballjen me krizën energjetike në prag të sezonit dimëror, njofton Portalb.mk.

“Miratuam vendim, që në tregun e rregulluar të jenë edhe shkollat fillore dhe të mesme në territorin e tërë shtetit pa dallim që obligimi i sigurimit të procesit arsimor është i komunave”, tha Kovaçevski.

Vendimi i këtillë i Qeverisë vjen pasi kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut, për shkak të krizës energjetike kërkuan që pushimi dimëror të zgjatet dhe mësimi të zhvillohet online që të mos ketë harxhime të larta për ngrohjen e klasave dhe hapësirave shkollore.

Ndaj kësaj kërkese, Qeveria u përgjigj se mësimi duhet të vazhdojë me prani fizike pasi që është në interes të nxënësve.

Me vendimin e sotëm, Qeveria ua zvogëlon faturat komunave dhe rrjedhimisht me këtë u krijon kushte për të mos kërkuar që mësimi të mbahet online.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Ditë më parë nga Qeveria njoftuan se do të zvogëlohet marzha e furnizuesit me energji elektrike nga 50 në 20 për qind.

Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.





Huazuar nga