Dibër – Lumenjtë të mbrohen me ligj

29

Koordinatori i Qendrës për Zhvillim të Komunitetit në Dibër, Shuip Marku, i cili është themelues edhe i shoqatës ekologjike në Dibër potencon se pikërisht në javën botërore të lumenjve është mirë që paraqiten iniciativat të këtilla me të cilët institucionet kompetente duhet ta përkrahin kërkesën që lumenjtë të mbrohen me ligj

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 28 shtator – Dibranët i japin përkrahje të fuqishme kërkesës për mbrojtje ligjore të ujërave që ka paraqitur Qendra për Hulumtime dhe informacione Mjedisore “Ekosvest” nga Shkupi. Dibranët sidomos përfaqësuesit e shoqatave qytetare që merren me problemet ekologjike kanë të njëjtin mendim me atë të Qendrës në fjalë meqë rrjedha e lumenjve bëhet nëpër parqe nacionale dhe nuk ka logjikë që këta ujëra të mos jen të mbrojtura me ligj. Sidomos është në vend propozimi i Qendrës Ekosvest e cila propozon që nisma e par të jetë Lumi Radikë.

Koordinatori i Qendrës për Zhvillim të Komunitetit në Dibër, Shuip Marku i cili është themelues edhe i shoqatës ekologjike në Dibër potencon se pikërisht në javën botërore të lumenjve është mirë që paraqiten iniciativat të këtilla me të cilët institucionet kompetente duhet ta përkrahin kërkesën që lumenjtë të mbrohen me ligj. Sipas tij dhënia e prioritetit që lumi i parë që duhet të mbrohet është Radika, është një kërkesë shumë objektive dhe reale. “Lumi Radikë rrjedh nëpër parkun nacional të Mavrovës, ku rrjedha e ujit me të gjithë degët e saj vazhdon rrugëtimin në territorin e parkut dhe pastaj përfundon në Liqenin e Dibrës. Nëse nuk u jepet një mbrojtje ligjore ujërave në këtë rast Radikës, nuk korrespondon sistemi ekologjik i ujërave, prandaj do të ishte mirë që Lumi Radikë të jetë një shembull se si duhet të mbrohet uji me ligj”, thotë Shuip Marku dhe shton se në këtë drejtim duhet patjetër të mendohet edhe në zgjerimin të territorit të parkut nacional Mavrovë edhe në territorin ku gjendet liqeni i Dibrës. “Jap përkrahje kërkesës që bën Qendra për Hulumtime dhe Informacione Mjedisore ‘Ekosvest’ e cila edhe deri tani dha një kontribut të madh në mbrojtjen lumenjve dhe ujërave në përgjithësi”, shprehet ai.
Nga ana tjetër shoqatat e peshkatarëve sportiv “Trofta” e cila në kontinuitet paraqet shqetësimet për ndotjen e liqenit të Dibrës është e mendimit se mbrojtja ligjore e ujërave do të parandalojë ndotjet e ujërave . Liqeni i Dibrës i cili është një akumulacion që mbushet nga lumenjtë Radikë dhe Drini i Zi pikërisht ndotet nga rrjedha e lumit Radikë edhe atë në territorin të komunës Mavrovë Rostushë, territor i cili në pjesën më të madhe është i parkut nacional Mavrovë. Udhëheqësia e kësaj shoqate dibrane është e mendimit se sa më shpejt të aprovohet ligji për mbrojtjen e ujërave aq më shpejt do të parandalojmë ndotjen ekologjike të Radikës dhe Liqenit të Dibrës.

Përndryshe në kërkesën që ka bërë Qendra për Hulumtime dhe Informacione mjedisore “Ekosvest” është një nismë për të filluar procedurat për mbrojtjen formale me ligj të lumenjve apo pjesëve të rrjedhave ujore të cilët do të përcaktohen se janë veçanërisht të rëndësishme për biodiversitetin dhe mjedisin. Shumë vende të botës por edhe të rajonit kanë mbrojtje ligjore të ujërave thuhet në kërkesën. Lumit Radikë i jepet përparësi meqë ajo rrjedh në territorin e parkut nacional të Mavrovës. Këta rrjedha kalojnë edhe nëpër zona të mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv, por pavarësisht kësaj vetë Lumi nuk e gëzon të njëjtën shkallë të mbrojtjes. Kjo le mundësi për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit, gjë që lë gjurmë në biodiveristetin dhe cilësinë e ujit, thuhet në kërkesën e Qendrës. (koha.mk)