Të gjithë që fshihen pas komoditetit të tastierës të jenë të vetëdijshëm se janë përgjegjës për atë çfarë shkruajnë

2


Presidenti Stevo Pendarovski, dje foli në debatin publik me temë: “Gjuha diskriminuese në mediat digjitale: gjendja aktuale dhe sfidat”, organizuar nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij, ai tha se bashkëpunimi dhe veprimet e përbashkëta të të gjithë aktorëve në shoqëri, janë kyçe në luftën kundër përmbajtjeve diskriminuese në internet-hapësirën, por edhe në përgjithësi në diskursin publik.

“Parandalimi i këtij fenomeni, i cili seriozisht i prish themelet bazike të çdo shoqërie që synon inkluzionin, domosdoshmërisht duhet të jetë prioritet kombëtar. Komunikimi nuk guxon të jetë, ashtu siç është tani, me energji negative, frustrime, sulme ndaj personave, gjuhë diskriminuese, ose me gjuhë të urrejtjes.”, tha presidenti Pendarovski.

Ai gjithashtu theksoi se nuk duhet të lejojmë që gjuha diskriminuese të shndërrohet në gjuhë të urrejtjes dhe me këtë t’i shemb themelet e një shoqërie, që duhet të mbështetet në komunikim korrekt dhe debat të argumentuar.

“Në shtëpitë tona, në vendin e punës, në publik dhe në mediat sociale, ne duhet të rivendosim mirësjelljen në komunikim dhe të masim peshën e fjalëve tona. Siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore: Gjuha eshtra nuk ka, por eshtra thyen. Për fat të keq, pikërisht në hapësirën e internetit ku nuk ka barriera fizike, gjithnjë e më shumë janë të pranishme raste të nënçmimit, sulmeve të pabaza, shpifjeve ku në vend të komunikimit mes nesh, fjalët shërbejnë si instrument sulmi dhe diskualifikimi”, theksoi Pendarovski.

Sipas tij, është thelbësore që të gjithë ata që fshihen pas komoditetit të tastierës të jenë të vetëdijshëm se janë përgjegjës për atë që shkruhet apo thuhet, sepse diskriminimi nuk njeh përkatësinë etnike apo fetare, seksin, gjininë apo orientimin seksual.

Përkundrazi, siç tha presidenti, diskriminimi lëndon dhe dëmton njësoj çdo person, shemb integritetin dhe vetëbesimin e tij dhe lë pasoja të qëndrueshme mbi një person, të dashurit e tij dhe shoqërinë në tërësi.

Sipas tij, është tejet e nevojshme që në këtë temë të përfshihet edhe sektori civil, si përfaqësues i publikut të gjerë, për të krijuar një atmosferë pozitive, sepse vetëm ligjet dhe sanksionet nuk mjaftojnë për parandalimin e kësaj dukurie negative.

Presidenti gjithashtu tha se beson që ne si shoqëri jemi akoma në fazën, ku në vend se të shërojmë, mund të parandalojmë dhe për këtë arsye, sipas tij, duhet që thellësisht të merremi me këtë problematikë komplekse.

Ndër tjerash, ai përmendi edhe dobitë e qasjes në internet, si një prej avantazheve më të mëdha në historinë e njerëzimit, duke shtuar se nuk mund të lejojmë që këto përfitime të reduktohen, a prishen nga njerëz ose grupe të caktuara.

Sipas ekspertëve, Prokuroria vazhdon të mos i procesuojë rastet e gjuhës së urrejtjes dhe rrjedhimisht me këtë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mos ndëshkohet gjuha e urrejtjes, pavarësisht se është vepër penale

Sipas Kodit Penal, për vepër penale përhapje të informacioneve raciste dhe ksenofobisë në internet parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet. Portalb.mk ndër vite shkruan për problematikën e gjuhës së urrejtjes dhe të gjitha pasojat që kjo e fundit i sjellë shoqërisë multietnike të Maqedonisë së Veriut.





Huazuar nga