Guterres: Armët bërthamore të eliminohen totalisht

3


20:23 22/09/2022

Xhaçka: Referendumet në Ukrainë, shkelje e kartës së OKB-së

Faktori ndërkombëtar i konsideron krejtësisht të papranueshme deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin për një konflikt të mundshëm bërthamor. Teksa mori pjesë në takimin e posaçëm të Këshillit të Sigurimit me temë “Për paqen dhe sigurinë e Ukrainës”, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi eliminimin e të gjitha armëve bërthamore për të shmangur kërcënimin ndaj njerëzimit.

“Ideja e konfliktit bërthamor, dikur e paimagjinueshme, është bërë objekt debati. Kjo në vetvete është krejtësisht e papranueshme. Të gjitha shtetet e armatosura bërthamore duhet të riangazhohen për mospërdorimin dhe eliminimin total të armëve bërthamore.”

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për planet për të ashtuquajturat referendume në zonat e pushtuara nga rusët në Ukrainë.

Çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër që rezulton nga një kërcënim ose përdorimi i forcës është një shkelje e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.”

Në fjalën e saj gjatë këtij takimi Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, theksoi se faktori ndërkombëtar duhet të punojë për të garantuar përgjegjësinë e Rusisë për atë që po bën në Ukrainë.

“Ne dënojmë shtegun e ri të konfrontimit të Rusisë duke shpallur një mobilizim të pjesshëm në Rusi, duke mbështetur organizimin e “referendumeve” të paligjshme. Këto referendum të rreme janë një tjetër shkelje flagrante e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe një shkelje e rëndë e Kartës së OKB-së.”

I pranishëm në këtë takim të Këshillit të Sigurimit ishte edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Tv Klan





Huazuar nga