Një gjykatë në SHBA i kërkon Tether të provojë mbështetjen e stablecoinit në dollarin Amerikan

4


Një gjykatëse në Shtetet e Bashkuara urdhëroi stablecoinin më të madh në botë Tether të provojë mbështetjen 1 me 1 të monedhës në dollarë Amerikanë.

Kompanisë i është kërkuar të bëjë publike regjistra të përgjithshëm, balanca financiare, të hyra, qarkullimin e parasë, fitimin dhe humbjen krahas dokumenteve të tjera.

Urdhri u publikua ditën e sotme dhe është pjesë e një padie që nisi në 2019-ën nga një grup investitorësh kundër iFinex, kompanisë mëmë të Tether dhe Bitfinex. Padia thoshte se kompania ka manipuluar tregun duke hedhur në qarkullim monedha Tether të pambështetura në dollarin Amerikan me synimin për të rritur çmimin e kriptomonedhave si Bitcoin.

Gjykatësja Katherine Polk Failla hodhi poshtë kërkesën e iFinex për të bllokuar urdhrin.

USDT është stablecoini më i madh në botë për nga vlera e tregut dhe aseti i tretë më i madh dixhital pas Bitcoin dhe Ether me vlerë prej 68 miliardë dollarësh.

Dilema nëse kompania mbështet çdo monedhë Tether me 1 dollarë siç pretendon ka shoqëruar projektin prej vitesh.

Vitin e kaluar prokurori i përgjithshëm i New York-ut i dha fund një hetimi mbi Tether dhe kompaninë e saj mëmë Bitfinex me një gjobë prej 18.5 milionë dollarësh. Prokurori zbuloi se kompania kishte përdorur fondet e konsumatorëve për të mbuluar 850 milionë dollarë humbje pas veprimeve të policisë ndaj partnerëve të përpunimit të pagesave Crypto Capital Corp.

Sipas prokurorit, kjo zbulonte se USDT nuk ishte plotësisht i mbështetur në dollarin Amerikan, të paktën për kohën kur u bë hetimi në Nëntor të 2018-ës.

Sot Tether pretendon se monedhat e saj bazohet 100% në rezerva. /PCWorld Albanian





Huazuar nga