Norvegjia do t’ia dhurojë Këshillit Gjyqësor të RMV-së 6,8 milionë euro për sistem të ri AKMIS, i vjetri u manipulua nga gjyqtarët

1


Norvegjia, bashkë me donator tjerë është e gatshme të investojë 6,8 milionë euro që në mënyrë sa më të shpejtë, përkatëse dhe të plotë të shfrytëzohet teknologjia informatike. Kjo është theksuar në takimin e sotëm të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut me Këshillin Gjyqësor të Norvegjisë, njofton Portalb.mk.

Ashtu siç informojnë nga shërbimi për informim I Këshillit Gjyqësor, kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Crvenkovska, zëvendësi Selim Ademi dhe anëtarët Loreta Gjorgjieva dhe Milazim Mustafa, kanë realizuar takim pune me drejtorin e Këshillit Gjyqësor të Norvegjisë Sven Marius Urke, i cili ka qenë i shoqëruar nga Audun Hognes Berg, i cili është pjesë e këshillit norvegjez dhe Amra Jashareviq, e ngarkuar për reforma në gjyqësor nga rajoni. Në takim kanë arrë pjesë edhe kryetari i Gjykatës së Kavadarit,LlazarNanev dhe profesoresha Gordana Lazhetiq, si pjesë të Këshillit për Teknologji Informatike.

Në takim, siç theksohet në kumtesë, të dy palët janë pajtuar se zgjedhja e gjykatësve, vlerësimi i tyre dhe avancimi, që janë nën kompetencë të Këshillit Gjyqësor, do të jenë më të plota dhe më kualitative nëse digjitalizohet tërë sistemi gjyqësor.

Drejtori i Këshilli Gjyqësor të Norvegjisë, Urke e ka theksuar domosdoshmërinë e digjitalizimit të plotë të sistemit gjyqësor të Maqedonisë së Veriut nëpërmjet teknologjisë moderne informatike me qëllim që të lehtësohet qasja e qytetarëve deri te gjyqësori, por edhe të krijohet sistem gjyqësor më i pavarur dhe transparent.

“Nga ana e kryetares së këshilli Gjyqësor, Crvenkovska, delegacioni norvegjez është informuar se për momentin këshilli ndan mjete financiare për procesin e digjitalizimit të gjyqësorit dhe shprehu gatishmëri që Këshilli aktivisht të marrë pjesë në instalimin e sistemit të ri AKMIS, i cili do të përmbajë edhe vegla që deri më tani nuk i ka shfrytëzuar gjyqësori në Maqedoni”, njoftojnë nga Këshilli Gjyqësor.

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor kanë shprehur besim se me digjitalizimin e plotë dhe investimin në teknologjitë informatike do të lehtësohet dhënia e shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërkaq procedurat gjyqësore do t’i bëjë më të hapura për opinionin, me atë që do të kthehet edhe besimi te qytetarët.

“Norvegjia, bashkë me donatorët tjerë është e gatshme të investojë 6,8 milionë euro që sa më shpejtë, në mënyrë më përkatëse dhe të plotë të shfrytëzohet teknologjia informatike”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

Gjyqtarët manipuluan sistemin AKMIS

Se sa sistemi gjyqësor i RMV-së ka qenë i “kapur”, tregojnë manipulimet me sistemin kompjuterik AKMIS, një sistem që objektiv kryesor kishte të parandalojë abuzimet dhe manipulimet, përkatësisht sfida kryesore ishte të parandalohet ndikimi ndaj gjyqtarëve për kurdisje të proceseve të caktuara gjyqësore dhe regjistrim më të shpejtë përkatësisht ndarje dhe përfundim më të shpejtë të lëndëve.

Baza e AKMIS-it është në Gjykatën Supreme dhe në të mund të hyjnë anëtarët e  Këshillit Gjyqësor dhe kryetarët e gjykatave themelore, por nuk mund të intervenojnë. Instalimi i sistemit filloi në janar 2020, kur ministër i Drejtësisë asokohe ishte Mihajllo Manevski nga VMRO-DPMNE, ndërsa kryetar i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski.

Nga viti 2010 AKMIS, ishte operativ në të gjitha 34 gjyqet e Maqedonisë së Veriut, duke e zëvendësuar shpërndarjen manuale të lëndëve. Nevoja për kontroll të sistemit AKMIS erdhi pasi që në raportin e Pribesë u tha se “ka perceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”.

Perceptimi se po manipulohet me këtë sistem, u bë edhe më i dukshëm, kur lëndët e Prokurorisë Speciale, “rastësisht”, caktoheshin te gjyqtarë të cilët në opinion ishin të njohur se kanë lidhje të ngushta me partinë e atëhershme në pushtet VMRO-DPMNE, funksionarët e të cilës duhej të gjykoheshin për vepra të rënda penale. Kur shkonin në duar të tyre, ata i bllokon apo i zvarrisnin, pra i fusnin në rrëmuja procedurale e burokratike, me qëllim që të shmanget ekzekutimi i drejtësisë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2018-të, në të cilin u theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS, Vlladimir Pançevski dhe Jovo Vangellovski.

Pasi ndërroi pushteti në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2017-të, me iniciativë të Qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë, janë bërë kontrolle në tre Gjykatat më të fuqishme të vendit, gjegjësisht në Gjykatën Penale të Shkupit, Apelit dhe Supremes.

Ekipi që bëri kontrollin doli me rezultate skandaloze, të tre gjykatat që trajtojnë lëndët më serioze, nuk i kanë respektuar procedurat e AKMIS-sit. Në vend që lëndët ku gjykohen qytetarët e personat “me ndikim” t’i ndajë automatikisht sistemi kompjuterik, këtë e kanë bërë kryetarët e gjykatave.

LEXO: AKMIS nuk ka funksionuar, nuk ka përgjegjësi penale për ndarjen manuale të lëndëve

Ky raport, sa ishte tronditës, aq edhe i pritshëm, sidomos duke pasur parasysh se gjyqësori vazhdimisht ka qenë në shënjestër të kritikave.

Nëse e shohim në perspektivë, edhe pse në tre gjykatat më me peshë në vend kishte manipulim me këtë sistem, Prokuroria ngriti akuzë vetëm për ish kryetarin e Gjykatës Penale të Shkupit, Vlladimir Pançevski për shpërndarjen manuale të 50 lëndëve gjyqësore. Ai u shkarkua nga detyra e gjyqtarit, ndërkaq më pas u gjykua dhe u dënua në vitin 2010-të me 3.5 vjet burg, por më 29 shtator të vitit 2021 Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 2.5 vjet burg. Në fakt ky është personi i vetëm që në Maqedoninë e Veriut është dënuar me burg për keqpërdorim të sistemit AKMIS. Derisa Pançevski ishte i dyshuar për keqpërdorimet, VMRO-DPMNE-ja e propozoi për kryeprokuror të shtetit.

Më shumë detaje në lidhje me manipulimet që janë bërë në Maqedoninë e Veriut me sistemin AKMIS, mund të lexoni: KËTU.





Huazuar nga