Komuna e Tetovës me pëlqim të SPB-së krijoi parking zonal në rrugën “120” i cili ngushtoi trotuarin

1


Kalimi për këmbësorët në trotuaret në pjesën e sipërme të rrugës “120” te Tregu i Gjelbër në Tetovë është i vështirë, pasi përpos uzurpimit nga shitësit aty, Komuna e Tetovës me pëlqim të SPB-së ka krijuar parking zonal, gjysma e të cilit është mbi trotuar. SPB-ja thotë se para lëshimit në funksion i njëjti do kontrollohet nëse është bërë sipas pëlqimit të dhënë, nëse jo do të ketë parashtresa përkatëse, shkruan Portalb.mk.

Në këtë aks rrugor, komuna ka vizatuar vizat për 30 vend-parkingje zonale të cilat priten të funksionojnë me pagesë nga 1 tetori.

Gazetari i Portalb.mk sot ishte në terren dhe pamjet nga atje janë “kaos”.

Qytetarët të cilët takuam gjatë rrugës, në bisedë thonë se parkingjet janë të nevojshme por jo në këtë mënyrë që janë vizatuar aty. Siç thonë ata, në disa pjesë kalimi për këmbësorët është i ngushtë. Trotuari bllokohet nga parkingu i ri dhe nga pronarët e shitësve që nxjerrin produktet e tyre në trotuar. Të cilat komuna duhet t’i ndalojë.

Në këtë rrugë, paraprakisht veturat parkoheshin ilegalisht pasi aty ka vetëm dy korsi qarkullimi. Tani në vend se të parandalohet ky fenomen për t’u siguruar qarkullimi i lirshëm të qytetarëve, Komuna dhe MPB bllokojnë edhe më tej banorët me zgjidhje të këtilla të improvizuara, duke shndërruar në parking gjysmën e trotuarit.

This slideshow requires JavaScript.

Ligji për Siguri në Komunikacion, konkretisht Neni 66 thotë se nëse lejohet parkimi në trotuar apo shteg, duhet të lihet sipërfaqe të paktën 1.6 metra gjerësi për lëvizjen e këmbësorëve dhe kjo sipërfaqe nuk mund të jetë pranë skajit të rrugës.

Arianit Xhaferi nga sektori civil, duke iu referuar Ligjit të lartpërmendur thotë se qyteti i Tetovës ka mungesë të vend-parkimeve por po ashtu ka mungesë të theksuar të hapësirave për këmbësorë.

Sipas tij,  çdo “uzurpim legal” i hapësirës për këmbësorë nga ana e autoriteteve, me qëllim për ta shndërruar të njëjtën në vend-parkim për vetura është i gabuar dhe absurd.

“Qytetet moderne synojnë të orientohen për të qenë më të qasshme për këmbësorët, dhe gjejnë mënyra për të eliminuar sa më shumë përdorimin e automjeteve në zonat urbane, ndërkohë që Komuna e Tetovës me këtë veprim bën të kundërtën, i pengon këmbësorët dhe duke krijuar “vend-parkime” të tilla, inkurajon përdorimin e automjeteve. Për më tepër një vendim i tillë është në kundërshtim me ligjin për siguri në Komunikacion”, tha Xhaferi.

Për rastin e njëjtë, ka reaguar edhe këshilltari komunal nga PDSH, Visar Palloshi.

“Në vend se të vendosen shtigje për biçikleta apo trotinete ose ndërtim i garazheve në kate, në të kundërtën kryetari i komunës dhe NP “Parkingu i Qytetit” Tetovë i zëvendësojnë trotuaret me zona parkimi të biçikletave. Dëshmohet se vetëm ju intereson sa më[ shumë të përfitojnë prej këtij lloji biznesi dhe jo lëvizja e lirë e qytetarëve”, tha Palloshi.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë njofton se në qershor të këtij viti, pas kërkesës së Komunës së Tetovës, pas së cilës është dorëzuar dokumentacioni i nevojshëm, ka dhënë pëlqimin për projektimin e zonës së parkimit në vende të caktuara në rrugën “120” në Tetovë.

“Por, nëse konstatohet se hapësirat e parkimit të formësuar nuk janë në përputhje me rregulloret dhe kriteret ligjore të parashikuara dhe projektin bazë të qarkullimit, do të përgatitet parashtresë përkatëse kundër realizuesit dhe kontraktorit”, tha Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë.

Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” thekson se nuk janë përgjegjës për shënimin e të njëjtave, pasi ata vetëm menaxhojnë parkingjet të cilat përgatitet nga Sektori për Veprimtari Komunale në komunë.

Komuna e Tetovës e pyetur për parkingun i cili gjysma është mbi trotuar thotë se është bërë në përputhje me standardet e parapara. Nuk marrin përgjegjësinë për bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

“Lidhur me pyetjet tuaja për krijimin e parkingut zonal në rrugën 120 Komuna e Tetovës, Sektori për Veprimtari Komunale, ka realizuar projekt komunikacioni konform të gjitha standardeve, ku përfshihet edhe lejet e autorizuara nga organet kompetente”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, Tetova ka nevojë urgjente për parkingje të reja. Deri më tani, udhëheqësia aktuale nuk ka krijuar vende të reja parkimi, është bërë vetëm shndërrimi apo improvizimi në parkingje zonale (me pagesë) i parkingjeve ekzistuese, ku vetëm se qytetarët parkoheshin edhe më parë, por nuk paguanin.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nuk e mbajti premtimin parazgjedhor se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë. Kaosi vazhdon, parkingje të reja ende s’ka, parkingu pa pagesë ishte vetëm dy javë dhe e pagesa u rikthye.





Huazuar nga