Tottenham Hotspur shkëlqen në shtëpi

1


14:32 18/09/2022

“Gjelat” mposhtin “Dhelprat”,  Son Heung Min shpërthen me tripletë

Topi në Angli ka nisur të lëvizë pas një jave pauzë për shkak të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II. Pavarësisht kësaj, homazhe në të gjithë stadiumet e gadishullit janë bërë në nder të 96-vjeçares, duke mbajtur një minutë heshtje përpara çdo sfide dhe vendosur kurora lulesh në mesin e fushës. Lojtarët, stafi dhe tifozët qëndruan me sytë nga qielli si homazh për monarken e ndjerë, e shoqëruar më pas edhe nga interpretimi i himnit kombëtar.

Tottenham Hotspur u rikthye të jepte spektakël në fushën e lojës. “Gjelat” mposhtën me shifra tenistike, 6-2 Lejstër Sitin në një përballje ku shkëlqeu sulmuesi koreano-jugor,Son me një tripletë personale. “Dhelprat” ishin të parët që kaluan në avantazh me anë të Tjelemans me penallti.

Reagimi i Tottenham ishte i shpejtë, teksa gjeti rrjetën me Herri Kejn në të tetën minutë dhe pak më vonë, realizoi Djer, i cili shfrytëzoi në maksimum krosimin nga këndi të Ivan Perisic.

Kur u duk se Tottenham po i drejtohej dhomave të zhveshjeve me avantazh, Madison shënoi për 2-2. Gjithsesi, instruksionet e Konte rezultuan efikase në pjesën e dytë. Bentakur kaloi sërish në avantazh londinezët, përpara se skenën ta merrte Son Heung Min. I ardhur nga stoli pas 1 ore lojë, 30-vjeçari tregoi gjithçka nga aftësitë e tij, duke realizuar 3 herë brenda 13 minutash. Një zhbllokim për lojtarin por edhe për Tottenham, që ngjitet në kuotën e 17 pikëve, aq sa Mançester Siti kampione në fuqi.

Klan News





Huazuar nga