Partizani më i fortë se vjet, rivalët për titull janë…

1


Jasir Asani e la Partizanin në verën e vitit të shkuar dhe u transferua në Hungari te Kisvarda, ku dalëngadalë u shndërrua në një lojtar vendimtar për ekipin. Përveçse ishte një nga më të mirët në sezonin e shkuar, ai ka shkëlqyer në Europë me skuadrën hungareze, që bëri historinë e klubit, duke u kualifikuar deri në turin e tretë të Ligës së Konferencës, rekord për Kisvardën. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Asani flet për aventurën në Hungari dhe tregon se pret një ftesë nga Kombëtarja. 27-vjeçari analizon edhe Partizanin, ku shprehet se është në rrugën e duhur për titullin. Sipas tij, Tirana dhe Vllaznia janë rivalët më të fortë të “demave”.

Jasir, si po shkon aventura në Hungari me Kisvardën?

Deri më tani po shkon shumë mirë. Shënova tre gola në Europë dhe ndihmova skuadrën sa munda. Jam i lumtur, sepse bashkë me shokët kemi shkruar historinë e klubit për sa u përket kompeticioneve europiane. Aktualisht jemi në vendin e dytë dhe gjërat po shkojnë shumë mirë. Unë personalisht ndeshje pas ndeshjeje po vij në formën time maksimale. Gjithsesi, duhet të bëjmë gjithmonë e më mirë, dhe në fund besoj se do të bëjmë gjëra të mëdha për Kisvardën deri në fund të sezonit.

Cili është objektivi juaj në këtë sezon? Po i skuadrës?

Objektivat e klubit janë rritur, tani duam titullin kampion dhe pse jo edhe Kupën. Kemi një ekip shumë cilësor, me disa djem të rinj dhe deri më tani ecuria është pozitive. Unë dua të shënoj sa më shumë gola. Gjithmonë kërkoj të përmirësohem dhe dua që ky sezon të jetë akoma më produktiv se ai i shkuari.

Ku e shihni veten në sezonin e ardhshëm?

Unë jam ende nën kontratë me Kisvardën dhe jam tërësisht i fokusuar për të dhënë më të mirën time në këtë klub. Fillimisht synoj të bëj një sezon të mirë, sepse deri në verë ka ende shumë rrugë për të bërë. Në fund do të shohim çfarë do të ndodhë.

Po e prisni një ftesë nga trajneri Edi Reja për të luajtur në Kombëtare?

Unë gjithmonë e kam pritur ftesën e Kombëtares dhe po e pres ende. Po bëj një sezon shumë të mirë. Në Europë lashë shenjën time me gola dhe asiste. Kam besim se një ditë ftesa do të vijë.

Si ju duket Partizani në këtë start të sezonit?

Partizani, fatmirësisht, po bën shumë mirë. E ka nisur sezonin me disa fitore dhe nëse vazhdojnë me këtë ritëm dhe këtë entuziazëm mund të shkojnë te titulli kampion. Kanë një ekip të ri, me djem të rinj plot me talent.

Cili nga ekipet ju duket rivali më i fortë i “demave”?

Unë mendoj se Vllaznia dhe Tirana do të jenë gjatë gjithë sezonit rivalë të fortë të Partizanit. Gjithsesi, mendoj se nëse vazhdojnë kështu, duke i marrë ndeshjet një nga një, them se nuk do ta kenë problem për të arritur objektivin që i kanë vënë vetes.

Është ky i sivjetshmi Partizan më i fortë se vjet?

Mund të them se Partizani i këtij sezoni është më i fortë, sepse kanë ardhur disa lojtarë me eksperiencë dhe plot cilësi. Unë mund të përmend Telushin apo Romeron, të cilët i njoh mirë, por sigurisht edhe të tjerët e kanë rritur nivelin e skuadrës dhe do ta ndihmojnë shumë ekipin në rrugën për te suksesi.

Nga cili prej sulmuesve të Partizanit prisni më shumë në këtë sezon?

Unë mendoj se Cara duhet të bëjë akoma më shumë, sepse është lojtar shumë i mirë dhe i talentuar. Ai ka shumë kualitet, duhet të punojë fort dhe të japë maksimumin për klubin. Kjo padyshim e ndihmon edhe të arrijë qëllimet e veta. Ka shumë cilësi dhe them se do t’ia dalë.

Mund të ndjekë Skuka gjurmët tuaja duke u transferuar në një ligë më të fortë jashtë vendit?

Skuka është lojtar shumë i mirë dhe i shpejtë dhe përse jo të arrijë të ngjisë akoma më shumë hapat në karrierë. Unë dua që çdo lojtar që spikat në Shqipëri, të arrijë të sigurojë transferimin në liga të forta jashtë vendit, që është edhe objektivi i gjithkujt. Skuka i ka të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Le të vazhdojë të punojë fort dhe them se çdo gjë do t’i shkojë mirë.

Si e prisni sfidën e së hënës me Kukësin, do të kthehen të kuqtë te fitorja?

Ndaj Kukësit, Partizanin e pret një ndeshje shumë e fortë. Janë dy ekipe shumë të mira dhe mendoj se saktësia në sulm do të jetë vendimtare. Në ndeshje të tilla nuk të jepen shumë shanse shënimi dhe cila skuadër do të arrijë t’i shfrytëzojë, do ta arrijë fitoren./Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb






Huazuar nga