Kovaçevski dhe Osmani do të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork

1


Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani nga nesër deri më 24 shtator do të marrin pjesë në seancën e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, transmeton Portalb.mk.

Në delegacionin qeveritar të udhëhequr nga kryeministri i shoqëruar me bashkëshorten e tij, janë ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në OKB në Nju Jork, Ljubomir Frçkovski dhe këshilltari për punë të jashtme Edmond Ademi.

Siç njoftoi Qeveria, sipas agjendës, Kovaçevski do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në debatin kryesor të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së, ku tema është “Zgjidhjet transformuese për sfidat e ndërthurura”.

Ai gjithashtu do të marrë pjesë dhe do të mbajë fjalim në Samitin e Transformimit të Arsimit nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Guterres dhe UNESCO-s.

Kryeministri gjithashtu do të marrë pjesë dhe do të flasë në takimin e nivelit të lartë me rastin e 30 vjetorit të miratimit të Deklaratës për të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare, etnike, fetare dhe gjuhësore.

Gjatë vizitës, ai do të mbajë edhe një ligjëratë në Universitetin Kolumbia, ku do të flasë për modelin e demokracisë së qëndrueshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për integrimin dhe transformimin ekonomik të vendit.

Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kovaçevski është ftuar dhe do të marrë pjesë në pritjet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe me kryetarin e Nju Jorkut, Erik Adam.

Gjatë vizitës, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kovaçevski do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dhe do të ketë disa takime dypalëshe, si dhe takime me personalitete të njohura të vendit që punojnë dhe jetojnë në Nju Jork.

Gjatë Kësaj vizite, siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani do të marrë pjesë në darkën transatlantike të ministrave të jashtëm të NATO-s, të organizuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e Kartës së Adriatikut A5, si dhe në takimin e organizuar nga Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP) dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.

Shefi i diplomacisë Osmani do të marrë pjesë edhe në takimin e vendeve të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) dhe të forumeve të tjera të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në kuadër të kësaj, Osmani dhe Kovçevski do të zhvillojnë takime të shumta bilaterale me kolegët e tyre diplomatë.





Huazuar nga