U deklarua Sela para mbledhjes së Kuvendit Qendror të ASH-së, ku pritet të zgjedhet u.d. kryetari i partisë

1


Aleanca për Shqiptarët sot në Shkup do ta mbajë Kuvendin Qendror të partisë në të cilën do të konstatohet dorëheqja e Ziadin Selës. Në mbledhje do të duhet që të zgjedhet edhe u.d. kryetari i Aleancës për Shqiptarët, njofton Portalb.mk.

“Sot kemi Kuvendin Qendror të partisë. Me vetë aktin që e paraqita dorëheqjen e parevokueshme, e radhës që vjen sipas Statutit të partisë duhet që të mbahet Kuvendi Qendror i partisë në të cilën do të diskutohen edhe situatat e krijuara. Aleanca për Shqiptarët është e gatshme që të përballet me përgjegjësitë e djeshmes, sfidat e së ardhmes dhe me përgjegjësi të kryejë obligimet dhe detyrat dhe pritshmëritë që ia kanë ngarkuar votuesit dhe populli në Maqedoninë e Veriut. Në funksion të kësaj, është ky Kuvend Qendror, pjesa tjetër është pjesë e debatit të brendshëm të ASH-së”, tha Sela para fillimit të mbledhjes.

Ai njoftoi se do të ketë emërim të një ushtruesi të detyrës, në krye të partisë.

“ASH nuk mund të rrijë pa kreun e saj. E radhës është që të mbahet Kongresi, për kohën se kur do të mbahet do të vendos Kuvendi Qendror. Do të jenë disa pika të rendit të ditës në të cilën do të diskutohen këto tema”, shtoi Sela.

Më 21 gusht, Sela, dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet për Këshillin e Komunës së Tetovës.

Përndryshe, pas mosmarrëveshjes me kryesinë e Partisë Demokratike Shqiptare për nevojat për reforma brenda partisë, Ziadin Sela me mbështetje brenda partisë, inicioi nga qyteti i tij i Strugës Lëvizjen për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare në mars 2015.

Më vonë në vitin 2015 Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare u regjistrua si parti politike me të njëjtin emër, e drejtuar nga Ziadin Sela.

Gjatë vitit 2016, Lëvizja për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare miratoi si emërtim zyrtar Aleancën për Shqiptarët.





Huazuar nga