(VIDEO) Mickoski: Duhet 2,5 miliardë euro për të kaluar këtë vit dhe vitin e ardhshëm

1


Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi se Maqedonisë i nevojiten së paku dy miliardë e gjysmë euro për të kaluar këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Mickoski e theksoi këtë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se sa para nevojiten për ta tejkaluar krizën energjetike që na pret për t’i ndihmuar edhe bizneset edhe komunat që tashmë po japin alarmin se duhen zgjidhje thelbësore.

KRYETARI I VMRO-DPMNE-SË, HRISTIJAN MICKOSKI

“Vlerësoj se për të kaluar këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të nevojiten të paktën dy miliardë e gjysmë euro, sepse gradualisht kriza energjetike shndërrohet në financiare. Duhen të paktën dy miliardë e gjysmë euro. Dhe tani nëse më bëni pyetjen për çfarë janë të nevojshme ? Këtu do të bëj një matematikë të shkurtër. Vetëm për ngrohje në Shkup, për blerjen e gazit, me të cilin do të punonin ngrohtoret, nëse ne përdorim gaz. Ndoshta do të përdorin naftë, ndoshta dizel, ky është vendim i menaxhmentit të asaj kompanie, por nëse përdorim gaz duhen 250 milionë euro”.

Mickoski tha se për shkak të mungesës së mjeteve financiare si në shtet ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare, qeveria nuk po bën asgjë për të siguruar paratë e nevojshme. E, nga ana tjetër, shtoi ai se nuk ka asnjë shenjë për kredinë e paralajmëruar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar prej 900 milionë eurosh me kamatë të lirë prej 1%. Paratë po bëhen më të shtrenjta, gjithnjë e më pak para janë në tregun ndërkombëtar dhe ata po e çojnë vendin drejtpërdrejt në humnerë.

KRYETARI I VMRO-DPMNE-SË, HRISTIJAN MICKOSKI

“Ne propozuam në prill dhe maj, nuk na dëgjuan dhe e sollën vendin në këtë situatë. Tani do t’u rekomandoja, atë që propozuam në prill dhe maj, ta bëjnë tani për vitin e ardhshëm, sepse në këto çështje gjërat nuk janë të menjëhershme, nuk janë sot për nesër.Tani bëhet fjalë për vitin e ardhshëm, pesë vitet e ardhshme. Kjo është ajo që ne mund t’i rekomandojmë qeverisë. Do të ketë edhe disa masa të tjera që do të lidhen me makroekonominë, por ekipi i ekspertëve të ekonomisë në parti po punon për këtë dhe shumë shpejt do të dalim me një qëndrim”.

Lidhur me atë se nëse Maqedoninë e presin trazira për shkak të thellimit të krizës ekonomike dhe varfërisë që mbizotëron te qytetarët , Mickoski theksoi se dimri do të jetë i ashpër sepse kriza energjetike gradualisht po shndërrohet në ekonomike dhe e gjithë kjo pritet të shkaktojë trazira ndërsa nga ana tjetër qeveria nuk merr asnjë masë për të stabilizuar këtë gjendje.

Medina Ajeti /SHENJA/



Huazuar nga