Seri e re dorëheqjesh në qytetin e Shkupit, tri ndërmarrje publike mbetën pa drejtorë

3


Edhe tri ndërmarrje të tjera publike të Shkupit mbetën pa drejtor. Sot në mëngjes dorëheqje kanë dorëzuar drejtorët e “NTP Turs” – Filip Vasilevski, NP “Rrugë dhe rrugica” – Boris Nastov dhe i “Lajkas” – Voislav Dimitrovski, transmeton Portalb.mk.

Vasilevski njoftoi se jep dorëheqje sepse nuk ka mbështetje dhe komunikim normal me kryetaren Danela Arsovska dhe drejtorin e përgjithshëm të NTP-së, Aleksandar Stojkovski.

“Për një periudhë 6 mujore arritëm të rrisim disa herë të ardhurat në sektorin e transportit dhe turizmit, si dhe të sigurojmë rritje lineare të pagave për të gjithë punonjësit. Por kjo nuk mjafton kur ‘NTP Tours’ nuk e ka mbështetjen e qytetit dhe komunikimin normal me kryetaren Danela Arsovska dhe drejtorin e përgjithshëm Aleksandar Stojkovski. Më duhet të them se është zhgënjyese që vizioni që na bashkoi, projektet në të cilat besojmë dhe për të cilat u angazhuam para banorëve të Shkupit, nuk po realizohen dhe nuk ka marrëveshje nga qyteti, i cili gjithnjë e më shumë po ngec në grindje e kalkulime dhe interesatpersonale. Për këtë arsye po jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të ‘NTP Tours’, nga ku po largohem me kokën lart, i kënaqur me rezultatet dhe me parimet në të cilat vazhdoj të besoj”, tha Vasilevski.

Arsyet të ngjashme thekson edhe Nastov, i cili largohet nga posti i ushtruesit të detyrës drejtor i Rrugëve dhe rrugicave. Siç thotë ai, ka pasur komunikim joadekuat me Arsovskën dhe nuk ka gjetur mirëkuptimin e saj për realizimin e projekteve kyçe.

“Edhe pse shumë gjëra janë përmirësuar me projektet e realizuara dhe janë vendosur praktika të mira në funksionimin e kompanisë, zbatimi i projekteve nuk ka ndodhur sipas pritshmërive të mia dhe të qytetarëve. Ndaj po ju njoftoj se jap dorëheqjen e parevokueshme nga posti i ushtruesit të detyrës, drejtor i NP “Rrugë dhe rrugica”. Këtë vendim e kam marrë si rezultat i komunikimit joadekuat me kryetaren e qytetit të Shkupit, si themelues i kompanisë, si dhe mosmirëkuptimit në realizimin e projekteve kyçe me interes për qytetin, për të cilat ndërmarrja publike kishte mundësi dhe potencial. Pamundësia, me gjithë synimet dhe përpjekjet e mia të sinqerta, për të krijuar mirëkuptim të ndërsjellë, bashkëpunim dhe respekt si faktorë të domosdoshëm për realizimin me sukses të projekteve dhe aktiviteteve të planifikuara të ndërmarrjes, kontribuoi në marrjen e këtij vendimi tim”, tha Nastov.

Edhe Dimitrovski nga “Lajka” në shpjegimin për dorëheqjen e tij ankohet se ndërmarrja me të cilën ka menaxhuar deri më tani nuk ka mbështetje nga Qyteti i Shkupit dhe për rrjedhojë vazhdimisht përballet me bllokime të llogarive dhe vonesa në pagimin e rrogave.

“Qyteti i Shkupit me ribalancimin e buxhetit në vitin 2022 ka siguruar 10.000.000 denarë për NP “Lajka” për vështirësi operative, për të cilat tashmë dy muaj nuk është siguruar shumicë në Këshillin e Qytetit të Shkupit për ndarjen e fondet për NP ‘Lajka’ në mënyrë që të mund ta kthejë ndërmarrjen në funksionim dhe të kthejë borxhet tashmë të papaguara. NP “Lajka” për pjesën tjetër të vitit 2022 i kanë mbetur vetëm 1.900.000 denarë të siguruar nga Qyteti i Shkupit, që mjaftojnë për të paguar vetëm pagat dhe shpenzimet komunale të ndërmarrjes për vetëm një muaj, pa mjete për ushqim, ilaçe dhe materiale harxhuese. NP “Lajka” në periudhën e kaluar për faktin se nuk ka mjete financiare për funksionimin elementar, ka bërë aksione për donacione me qëllim që të mos ndërpritet ritmi i vendosur i punës për realizimin e programit dhe realizimin e masave humane në trajtimin e kafshëve. NP “Lajka” gjatë muajit të kaluar funksionon kryesisht nga donacionet”, tha Dimitrovski.

Shpresoj që drejtori i ardhshëm i NP “Lajka”, thotë drejtori aktual, do ta gëzojë besimin e shoqatave dhe aktiviteteve të qytetarëve, komunitetit veterinar dhe qytetarëve ashtu siç e kam gëzuar unë, por edhe nga Qyteti i Shkupit për të ruajtur dhe rritur ritmin e funksionimit.

Me këto tre dorëheqje, numri i funksionarëve të Qytetit që largohen nga detyra në vetëm pesë ditë ka shkuar në shtatë. Zyra e Arsovskës të hënën njoftoi se ka shkarkuar sekretarin e përgjithshëm të qytetit, Gjoko Velkovski dhe drejtorin e NP “Ujësjellës dhe kanalizime”, Zllatko Perinski, për shkak të arbitraritetit dhe dyshimeve për përpjekje për të ndikuar në tenderin miliona dollarësh për impiniatin e trajtimit të ujërave të zeza.

Në të njëjtën kohë, nga partia e tyre erdhën njoftime se ata vetë kanë dhënë dorëheqje.

Të nesërmen, më 13 shtator, ndërmarrjet publike “Parkingu i qytetit” dhe “Drisla”, të cilat menaxhoheshin nga kuadër i VMRO-DPMNE-së, Bojan Hristovski dhe Jane Micevski, mbetën pa drejtorë.

Hristovski dhe Micevski në profilet e tyre në Facebook kanë bërë të ditur dorëheqjet, duke thënë se këtë vendim e kanë marrë për shkak të mungesës së mbështetjes, koordinimit dhe disponueshmërisë nga kryetarja Danela Arsovska.

Kryetarja Arsovska nga ana tjetër, në Facebook shkroi se për shkak të punës së papërshtatshme, mosdhënies së rezultateve dhe mos respektimit të udhëzimeve të Qytetit të Shkupit, drejtorët kanë marrë ofertë për dorëheqje ose shkarkim.





Huazuar nga