Rivalët të vështirë, por shkojmë për të fituar

1


Kombëtarja U-19 ka nisur që nga pasditja e së enjtes grumbullimin dhe përgatitjet për aventurën europiane në Belgjikë në datat 21 dhe 24 shtator. Nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu, janë vënë 16 lojtarë, nga 20 të ftuar, teksa katër prej tyre do t’i bashkohen ekipit kuqezi në Belgjikë.

Skuadra ka nisur nga puna dhe stërvitjet për dy sfidat zyrtare kundër bashkëmoshatarëve të Belgjikës fillimisht më 21 shtator, e tre ditë më vonë, më 24 shtator ndaj Spanjës, dy rivalë tepër të vështirë, por jo të pakalueshëm sipas futbollistëve kuqezinj, Endri Muhameti dhe Daniel Hysaj.

Mesfushori Muhameti që aktivizohet në radhët e Atalantës në Itali, e që gëzon një formë mjaft të mirë fizike ka qenë edhe më parë pjesë e ekipit kuqezi, por nën urdhrat e trajnerit Bushi. Në një prononcim për fshf.org, ai shprehet tepër i kënaqur për këtë ftesë, ndërsa vlerëson dy rivalët me të cilët do të përballet Shqipëria në këto kualifikuese.

Si e priti ftesën Endri Muhameti? Jam shumë i kënaqur për këtë ftesë sepse është hera e parë që vij me ekipin U-19.

Objektivat për sfidat zyrtare? – Këto janë dy ndeshje shumë të vështira sepse luajmë kundër Spanjës dhe Belgjikës që janë dy ekipe nga më të fortat dhe ne duhet të bëjmë maksimumin për të marrë pikët. Na pret shumë punë dhe sakrificë.

Gjendja e ekipit dhe atmosfera? – Shumë e mirë, për mua është stërvitja e parë sot pasi kam ardhur dje vonë dhe gjendja e ekipit duket shumë e mirë.

Ëndrrat për të ardhmen – Të arrij sa më lart në futboll në Itali dhe të jap maksimumin tij, pasi çdo fëmijë, që i vogël ka synime të ngjitet lart në karrierë.

Mbrojtësi i moshave të Napolit, Daniel Hysaj, vlerëson gjithashtu Spanjën e Belgjikën, por thekson se kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren në çdo mënyrë.

Ftesa nga Shqipëria – Kam qenë dhe herë të tjera me Kombëtaren dhe jam shumë i lumtur që kam marrë këtë ftesë dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën.

Si duket grupi kuqezi dhe çfarë objektivash kanë për këto sfida? – Në Belgjikë do të shkojmë për të fituar sepse futbolli luhet për të fituar. Si atmosferë është shumë e mirë dhe po punojmë për fitore.  Pjesa më e madhe e çunave kanë qenë edhe më parë në ekip, disa i njoh edhe në Itali sepse luajmë në kampionat. Edhe si ekip është shumë i mirë.

Rivalët e grupit? – Belgjika dhe Spanja janë dy skuadra të forta, këtë e dimë, por çdo ndeshje ka historinë e saj dhe ne do të luajmë për të fituar. Përfaqësojmë një fanellë që për ne është shumë e rëndësishme dhe do të kërkojmë fitoren në çdo mënyrë.

Synimet për të ardhmen – Kam si ëndërr të bëhem një futbollist profesionist dhe sigurisht të arrij kombëtaren A.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb






Huazuar nga