Një gur për të ndaluar vampirin Nachzehrer, metoda që “shpëtonte” jetën e të gjallëve

1


23:45 16/09/2022

Kohët e fundit arkeologët zbuluan shembullin e një varrimi vampiri në Poloni. Skeleti i cili mendohet të jetë i një vampiri u gjet me drapër rreth qafës, metodë që mendohet se parandalon ngritjen e vampirit nga varri. Por ekzistojnë edhe disa metoda të tjera që njerëzit i kanë përdorur për të mbrojtur të gjallët nga të vdekurit, metoda të tilla si vendosja e një guri apo tulle në gojën e tyre.

Trupi i një gruaje u zbulua në një varr të pazakontë të shekullit të 16-të në Lazzaretto Nuovo, rreth 2 milje nga Venecia në Itali. Gruaja është quajtur “Carmilla”, nga shkencëtarët që e zbuluan. Ajo u gjet me një tullë në gojë brenda një varri masiv. Ky duket se është një ritual krejt ndryshe nga varrimet e tjera të bëra në atë kohë.

Për identitetin e saj nuk dihet shumë, por sipas arkeologëve ajo mendohet të ketë vdekur gjatë një shpërthimi vdekjeprurës të murtajës.

“Më duhej të gjeja një shpjegim për dikë që manipulonte trupin e një personi me një sëmundje vdekjeprurëse”, shpjegoi Matteo Borrini, i cili drejtonte grupin kërkimor.

Ai zbuloi se gruaja me shumë mundësi është dyshuar të ketë qenë Nachezer, një lloj vampiri që ekziston në folklorin Europian.

“Nuk është historia klasike që vampiri ngrihej dhe u thithte gjakun njerëzve. Më tepër ka  të bëjë me një person i cili i vriste njerëzit nga varri, para se të kthehej në një vampir të plotë”, tha antropologu.

“Ajo që zbulova është se ekzistonte një traditë që thoshte se trupat e disa të vdekurve ishin përgjegjës për shpërndarjen e murtajës. Këto trupa nuk ishin plotësisht të vdekur dhe ishin të pushtuar nga fuqi djallëzore. Ata po përtypnin qefinin e tyre nga brenda varreve dhe me anë të një magjie të zezë po përhapnin murtajën”, tha Borrini duke cituar besimet e vjetra.

Vendosja e një guri në gojën e Nachzehrer do e ndalonte përtypjen që do e nxirrte atë jashtë varrit e kështu të gjallët do mbroheshin nga murtaja.

Megjithatë sipas Science Alert Carmilla me shumë mundësi nuk është konsideruar një vampir në kohën kur ishte gjallë. Varri masiv rezulton se është rihapur më vonë, në një kohë kur me shumë mundësi trupi i saj nuk ka qenë totalisht i dekompozuar.

Ata që kanë gërmuar varrin, kur kanë ndeshur me këtë trup ende të padekompozuar e me qefinin rreth gojës, me shumë mundësi kanë menduar se ajo ka qenë e pushtuar dhe për këtë i vendosnin tullë në gojë.

Një rast tjetër vampiri u gjet në një varrezë fëmijësh në Teverina, Itali. Fëmija rreth 10 vjeç u varros në shekullin e 5-të gjatë një shpërthimi vdekjeprurës të malaries. Trupi i fëmijës u gjet me një gur në gojë. Sipas Jordan Wilson kjo bëhej që shpirti i fëmijës mos të kishte mundësi të hynte a të dilte nga trupi i fëmijës. 

Mitet e vampirëve prej shekujsh kanë shoqëruar vdekjen e njerëzve, me anë të tyre njerëzit shpjegonin fenomene të cilat ishin misterioze për ta si sëmundjet ngjitëse e vdekjeprurëse./tvklan.al





Huazuar nga