Më shumë fëmijë në çerdhen “Breshia”

6

Drejtoresha e çerdhes, Ajrie Daçi, për gazetën KOHA thotë se ka një rritje të numrit të fëmijëve që janë regjistruar në çerdhen e Dibrës. Ajo shton se pandemia në vitet 2020, 2021 faktikisht uli numrin e fëmijëve që vizitojnë institucionin parashkollor

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 10 shtator – Në çerdhen të vetme në Dibrës “Breshia” ka një rritje të numrit të fëmijëve në të gjithë grup moshat. Pas dy viteve të karakterizuara si vitet e pandemisë Kovid 19, këtë vit prindërit dibran masovikisht i regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe, sidomos ata të cilët janë të angazhuar me punë. Drejtoria e çerdhes “Breshia” ka informuar se kapacitete të të dy objekteve janë të gatshme për të pranuar afro 360 fëmijë. Drejtoresha e çerdhes Ajrie Daçi për gazetën KOHA thotë se ka një rritje të numrit të fëmijëve që janë regjistruar në çerdhen e Dibrës. Ajo shton se pandemia në vitet 2020, 2021 faktikisht uli numrin e fëmijëve që vizitojnë institucionin parashkollor. “Nga viti 2020 dhe në vazhdimësi të vitit 2021 në çerdhen e Dibrës për shkak të virusit Kovid 19 numri i nxënësve nuk kaloi numrin 200. Kjo është e kuptueshme meqë në të gjithë institucionet punohej me një respektim maksimal dhe rigoroz të masave për mbrojtje nga virusi korona. Regjistrimi këtë vit është duke vazhduar dhe deri në këtë moment janë regjistruar 330 fëmijë. Garantojmë edhe me kushte shumë të mira kapacitete për 360 fëmijë në të dy objektet e çerdhes të Dibrës”, thotë drejtoresha Daçi.

Ajo potencon se regjistrimi bëhet në shumë grup mosha edhe atë duke filluar nga 6 mujore dhe më lartë. Numri më i madh i fëmijëve të cilët janë akomoduar në çerdhen e Dibrës është nga mosha e vogël deri në tre vjet. Ky institucion ka realizuar shumë projekte jo vetëm të vendit por edhe ndërkombëtare me programet Erazmus Plus të Unionit Evropian, gjë që ka mundësuar një avancim dinamik të mënyrës të punës në çerdhe. Në kuadër të kësaj çerdhe është hapur edhe një degë e çerdhes në fshatin Skudrinjë të komunës Mavrovë Rostushë.

Por, institucioni në fjalë ballafaqohet edhe me probleme financiare. “Afro tre dekada nuk është rritur në asnjë moment çmimi i participimit për fëmijët të cilët janë në qëndrim ditor. Kjo situatë drejtpërdrejtë sidomos kohëve të fundit për shkak të rritjes së çmimeve ndikon në problemet financiare të institucionit”, thotë drejtoresha e çerdhes. Për shkak të pandemisë dhe respektimit të masave angazhuam edhe punëtorë të tjerë por tani ata marrin vetëm nga 8 mijë denarë dhe nuk kanë vendime, shton drejtoresha Daçi. Deri tani nuk ka ndonjë përgjigje nga Ministria kompetente meqë numri i punësimeve drejtpërdrejt varet nga numri i fëmijëve të cilët akomodohen në çerdhe. Si tejkalim të problemit aktual drejtoria e çerdhes sheh rritjen e çmimit të participimit të fëmijëve por edhe kërkesë për mjetet plotësuese edhe nga pushteti vendor. Edhe pse këta probleme financiare janë prezent, drejtoresha Ajrie Daçi thotë se në çerdhe pa pagesë janë prezent 12 fëmijë të komunitetit rom, fëmijë pa prindër, por edhe fëmijë të familjeve me probleme ekstreme sociale. (koha.mk)