Dibra themeloi Këshillin për mbrojtje sociale

52

Për themelimin të këtij Këshilli votuan të gjithë 15 këshilltarët të Këshillit të komunës Dibër. Duke dhënë sqarime rreth nevojës të themelimit të këtij këshilli, u theksua se ky është një obligim ligjor që tani do të funksionojë edhe në nivel lokal

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 24 gusht – Edhe komuna Dibër në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Ligjit për mbrojtje sociale, themeloi Këshillin për mbrojtje sociale. Për themelimin të këtij Këshilli votuan të gjithë 15 këshilltarët të Këshillit të komunës Dibër. Duke dhënë sqarime rreth nevojës të themelimit të këtij këshilli, u theksua se ky është një obligim ligjor që tani do të funksionojë edhe në nivel lokal. Themelimi i këshillit ndodh për herë të parë në të gjithë komunat e Maqedonisë së Veriut, ka theksuar kryetari i Këshillit të komunës Fuat Spahiu. Prandaj edhe Këshilli i Dibrës duhet të miratojë këtë propozim vendim meqë bëhet fjalë për një sferë me të cilën tërësisht mbrohen interesat të kategorive për mbrojtjen sociale.

Në debat morën pjesë shumë këshilltar të komunës Dibër. Në përputhje me vendimin përfaqësuesja e pushtetit vendor Armira Sharku tha se emërimi i anëtarëve të Këshillit për mbrojtje sociale në komunën e Dibrës është në përputhje me Ligjin. Në këtë këshill hyjnë përfaqësues të të gjithë institucioneve që veprojnë në komunën e Dibrës por edhe përfaqësues të Bashkësisë Islame dhe Kishës Ortodokse.  Anëtarët e Këshillit në pjesën dërmuese janë udhëheqësit të institucioneve siç janë Spitali i Përgjithshëm, Qendra për Punë Sociale, drejtorët e shkollave nënvjeçare dhe të mesme, përfaqësues të çerdhes Breshia, përfaqësues të Stacionit Policor në Dibër dhe institucionet e tjera. Mandati i anëtarëve siç tha ajo është katër vjeçar. Në debat, sidomos nga Këshilltarët e opozitës në Këshillin e Dibrës u debatua edhe rreth prezencës të anëtarëve. Këshilltarët të Aleancës për Shqiptarët, Bleta Sela dhe Shkëlqim Xhafa veçmas potencuan nevojën që në Këshill të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave qytetare. Por, përfaqësuesit e pushtetit vendor potencuan se lista e anëtarëve është e përcaktuar me normat ligjore se cilët institucione do të kenë anëtarë.

Në debat u tha se edhe deri tani komuna Dibër gjithmonë ka dhënë përkrahje personave me aftësi të kufizuara, jetimëve me një apo pa të dy prindërit, por edhe shoqatave të cilat janë në mbrojtje të kategorive sociale. Përfaqësuesit të opozitës ishin të mendimit se duhet trajtuar kërkesat që kanë të bëjnë me kategoritë në fjalë.

Këshilli i komunës Dibër përveç vendimit për themelimin e këshillit për mbrojtje sociale, në mënyrë unanime e solli edhe akt vendimin për emërimin të anëtarëve të Këshillit. Duhet të theksojmë se në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë sipas të dhënave të Qendrës ndërkomunale për punë sociale numri i familjeve të cilët marrin ndihmë sociale është mbi 800 që do të thotë probleme sociale në të dy komunat kanë afro 4 mijë anëtarë të familjeve. Themelimi i Këshillit komunal për punë sociale pritet që të jep një kontribut të madh në lidhje me përkrahjen të personave me probleme sociale. (koha.mk)