Ballanca, fshati i pleqve!

7

Rinia shqiptare e këtij fshati, por edhe fshatrave të tjerë të komunës Qendër Zhupë prej vitesh si alternativë të vetme për të mbijetuar dhe për të ndërtuar ardhmërinë, e sheh vetëm te migrimi. Kjo ka bërë që fshati Ballancë të braktiset pothuajse tërësisht nga ana e të rinjve, duke bërë që aty të mbetet vetëm mosha e tretë

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 16 gusht – Fshati i vetëm me popullatë të tërësishme në Komunën rurale Qendër Zhupë – Ballanca, viteve të fundit ka patur një migrim masiv nga ana e të rinjve. Ky fshat që ka një bukuri natyrore është një fshat i bejlerëve gjatë historisë, dhe banorët e fshatit kanë kontribuar shumë për kauzën shqiptare. Banorët e këtij fshati shpeshherë gjatë sistemit komunist ballafaqoheshin fuqishëm duke kërkuar të drejtat e tyre kombëtare me pushtetet vendore dhe qendrore të atëhershme. Viteve të 70-ta dhe të 80-ta shumë intelektual të kësaj ane duke kërkuar të drejtat e tyre për arsim në gjuhën shqipe patën probleme të shumta me sistemin komunist dhe u detyruan të migrojnë. Por, pastaj përveç këtij migrimi politik, filloi edhe migrimi ekonomik. Për këtë shkak, sot në fshatin e bukur të Ballancës të rrallë janë të rinjtë të cilët mund t’i takosh në të mirë apo në të keqe.

Rinia shqiptare e këtij fshati, por edhe fshatrave të tjerë të Komunës Qendër Zhupë prej vitesh si alternativë të vetme për të mbijetuar dhe për të ndërtuar ardhmërinë, sheh vetëm emigrimin. Kjo ka bërë që edhe fshati Ballancë të braktiset nga ana e të rinjve, duke bërë që aty të mbetet vetëm mosha e tretë.

Në këtë fshat takuam një aktivist të denjë i cili poashtu është edhe këshilltar në Komunën Qendër Zhupë. Zeqir Iseni thotë se emigrimi i të rinjve në këtë fshat ka filluar me problemet politike e më vonë edhe me probleme ekonomike. “Ballanca është një fshat i vjetër dhe ka patur një domethënie të madhe në shumë sfera të jetës. Gjatë sistemit komunist, problemet kanë qenë të sferës politike dhe emigrimet pikërisht kanë ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve dhe trusnive. Atë kohë shumë arsimtar që u ballafaquan me institucionet qendrore në sferën e arsimit duke kërkuar arsim në gjuhën shqipe ishin të detyruar të emigrojnë kryesisht në Itali”, tregon Zeqir Iseni dhe shton se në tre dekadat e fundit, ka një emigrim masivi të popullatës kryesisht të re për shkaqe ekonomike dhe për një jetë më të mirë. Punësimet në këtë komunë rurale janë të pamundshme, thotë ai, ndërsa shton se nuk ka kapacitete prodhuese dhe rinia të vetmen rrugë e kanë kurbetin. Sot, në Ballancë kryesisht jetojnë personat e moshës së tretë dhe nëse vizitohet pjesa e fushës së Ballancës, mund të shihet se pjesa më e madhe e saj nuk punohet – është djerrinë.

“Tokën s’ka se kush ta punojë. Nuk kemi dorë pune. Rinia vazhdon të braktisë këtë fshat të bukur dhe shpeshherë gëzimet dhe hidhërimet mbahen me një numër të vogël të fshatarëve. Pjesa më e madhe e tokave nuk punohen, me çka i shkaktohet një dëm i madh bujqësisë të këtij fshati. Ky fshat i njohur edhe për bletarinë sot ka vetëm pak koshere bletësh. Edhe ata po zhduken nga viti në vit. Për fat të keq, edhe kur ka raste vdekje, ata realizohen nga një numër i vogël i banorëve por duke marr parasysh afërsinë me banorët e fshatrave të tjerë në një mënyrë apo tjetër respektohen tradita mortore

Fshati Ballancë ashtu si edhe shumë fshatra të tjerë të Zhupës ringjallet vetëm gjatë muajve veror. Por kjo ringjallje është shumë e shkurtër meqë ballancasit kur vijnë, vijnë vetëm për ceremonitë familjare dhe sërish kthehen në vendet ku punojnë dhe jetojnë. Banorët e këtij fshati duke jetuar në emigrim kanë ndërtuar shumë shtëpi të bukura. Në shtëpitë është prezent edhe arkitektura e perëndimit, por mbi 80 për qind e shtëpive janë të mbyllura dhe hapen vetëm gjatës sezonit veror kur mërgimtarët vijnë në vendlindje. Biseduam këto ditë edhe me disa kurbetçarë që jetojnë në Itali në qytetin e Basomos. Garipi, Shefqeti dhe Përparimi thonë se nuk janë shumë optimist se do t’i kthehen fshatit për të jetuar. Situata ekonomike në vend jep pak shpresa për një ringjallje të këtij fshati të bukur. (koha.mk)