DibraNet.com – Qendra e Informimit Dibran

Lajme nga Kosova

Shtëpia që shërbeu si Spital Ushtarak gjatë luftës në Kosovë, tetë mjekë i shërbyen tri zonave të luftës

Njëra nga shtëpitë në fshatin Kçiq i Madh në Komunën e Mitrovicës, gjatë luftës së fundit në Kosovë, u shfrytëzua si spital ushtarak. Aty shërbyen tetë mjekë derisa u trajtuan qytetarë që pësuan si pasojë e luftimeve. Ndërkaq kryefamiljari i shtëpisë tregon se këtë gjest e bëri me vullnet në të mirë të njerëzve. Derisa kryetari i fshatit akuzon pushtetarët se asnjëherë nuk e vizituan këtë familje.

Njësoj sikurse sot, Skender Beka i hapi dyert e shtëpisë edhe para 23 viteve.

Shtëpia e tij në fshatin Kçiq i Mdh u shfrytëzua si spital ushtarak gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë spital të improvizuar tetë mjekë vullnetarë u kujdesen për shumë persona që u plagosen në luftë.

Njëri ndër ta ishte edhe Fahri Uka, derisa tregon se deri në ditën e fundit ishin të furnizuar me material të bollshëm.

“Ka shërby kjo shtëpi si spital ushtarak në këtë vend, këtu kemi trajtu të sëmurë me lendime të rënda, të plagosur dhe thujse për çdo ditë në këtë shtëpi janë trajtu 30 pacientë. Për fat të mirë fshati ka qenë i organizuar kemi ble 2000 fasha dhe të gjitha mjetet që kemi pas nevojë kanë qenë prej fshatit dhe deri në ditën e fundit kemi pas mjaftueshëm material”, thotë Uka, për tëvë1.

Ndërkaq pronari tregon se shtëpinë e liroi me vullnet dhe për vetëm një qëllim.

“Kur është bë lufta shtëpia jem është bërë spital shteti nuk ka bërë asgjë edhe pllakën e kemi bërë në familjarët, nuk më ka obligu kërkush me ua lëshu shtëpinë e kam bërë me vullnet dhe i kam parë njerëzit të plagosur kanë ardhë pa dorë pa këmbë edhe u kam thënë qe shtëpia”, thotë pronari i shtëpisë, Skender Beka.

Pavarësisht se kreu një funksion fisnik gjatë luftës, pas çlirimit kjo shtëpi nuk u vizitua asnjëherë nga krerët e shtetit.

“Është për keqardhje sepse askush prej kryetarëve të komunës, pushtetit komunal dhe prej qeverive nuk e ka vizitu dhe nuk i kanë dhënë as edhe 10 cent për këtë shtëpi, muze, historik”, u shpreh kryetari i fshatit Kçiq i Madh, Fatmir Salihu.

Ky spital ushtarak i improvizuar, u shërbeu tri zonave të luftës, Drenicës, Llapit dhe Shalës së Bajgorës.




Huazuar nga

Most Popular

To Top