Home Lajme nga Kosova Apeli kthen në rigjykim rastin e vrasjes së djalit të axhës në...

Apeli kthen në rigjykim rastin e vrasjes së djalit të axhës në fshatin Batllavë të Podujevës

9

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku Baki Brahimi po akuzohet për vrasjen e djalit të axhës në Batllavë.

Brahimi po akuzohet se në tetor të vitit 2021, pas mosmarrëveshjeve paraprake me djalin e axhës së tij lidhur me shfrytëzimin e një prone, në mënyrë mizore ai e kishte privuar të njëjtin nga jeta në fshatin Batllavë të Podujevës.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, Brahimin pas pranimit të fajësisë, e ka dënuar për veprat penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit, për ‘Vrasje e rëndë’ dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 16 vite dhe për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të armëve’ dënimin në kohëzgjatje prej 1 vit, duke i shqiptuar dënimin unik prej 17 vite e 10 muaj burgim.

Kundër këtij aktgjykimi ka parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti.

Gjithashtu, ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë ka bërë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Brahimi, avokati Azem Ejupi, duke kërkuar kështu dënim më të butë për të mbrojturin e tij.

Në aktvendimin e Apelit të 24 qershorit 2022, thuhet se gjykata ka aprovuar kërkesën e avokatit Ejupi si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar vendimin dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

“Me aprovimin e ankesës të mbrojtësit të akuzuarit Baki Brahimi, por, edhe sipas detyrës zyrtare, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në – DKR në Prishtinë, PKR.nr.189/22 i datës 22.04.2022, dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në aktvendim, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ndërsa, në lidhje me ankesën e prokurorisë dhe avokatit Shefqeti thuhet se tani për tani janë jo-lëndore.

“Ankesa e prokurorisë dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, përkitazi me vendimin për dënim, tani për tani janë jo lëndore”, thuhet në të.

Gjithashtu në vendim thuhet se të akuzuarit Brahimi i vazhdohet paraburgimi deri në marrjen e aktvendimit tjetër nga gjykata e shkallës së parë.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjykata pas shqyrtimit të të gjitha shkresave, pas studimit të aktgjykimit të ankimuar dhe vlerësimit të pretendimeve të cekura si në ankesa, gjeti se ankesa e avokatit Ejupi është e bazuar mirëpo edhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i ankimuar duhet të anulohet ngase përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.12 të KPPK-së dhe atë për shkak të mosrespektimit të dispozitave procedurale për pranimin e fajësisë.

Tutje, thuhet se aktgjykimi duhet anuluar po ashtu për arsyet se të njëjtit i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, gjegjësisht ato që janë dhënë përkitazi me pranimin e fajësisë, janë në kundërshtim të plotë me shkresat e lëndës.

Aty thuhet se aktgjykimi duhet anuluar edhe për arsye se dispozitave nuk është përpiluar konform dispozitave të nenit 370 par.7 lidhur me nenin 365 të KPPK-së, shkelje këto që janë rezultat i mosrespektimit të dispozitave lidhur me pranimin e fajësisë, e që gjykata është e detyruar edhe zyrtarisht t’i shqyrtojë konform dispozitave të nenit 394 të KPPK-së.

Në vazhdim, thuhet se nuk janë plotësuar kushtet procedurale për pranimin e fajësisë, ngase në rastin konkret ka fakte dhe rrethana që nuk janë vërtetuar, gjegjësisht fakte dhe rrethana që nuk kanë mbështetje në prova dhe shkresa të lëndës dhe atë, sidomos faktet që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të akuzuarit, i cili pretendon se veprat penale në fjalë i ka kryer nën ndikimin e frikës se do ta sulmojë tani i ndjeri, e që për këtë mbrojtësi i tij ka dyshime se Brahimi ka vepruar nën ndikim e sëmundjes së ashtuquajtur “Sindromi i deluzioneve paranoide”.

Në rigjykim, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e cekura në vendim, të eliminojë kundërthëniet, të vlerësoj se a janë plotësuar kushtet për pranimin e fajësisë duke pasur parasysh dispozitivin e aktakuzës përkitazi me tri veprat penale, se a plotësohen elementet objektive dhe subjektive të veprave penale si dhe faktet dhe rrethanat përkitazi me përgjegjësinë penale të të akuzuarit, e pastaj, varësisht nga mënyra e vendosjes të vazhdojë me procedurë në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 13 prill 2022, Baki Brahimi akuzohet se më 17 tetor 2021, rreth orës 12:50, në fshatin Gërdofc të Komunës së Podujevës, pas një mosmarrëveshje verbale lidhur me shfrytëzimin e livadhit, përkatësisht kullotës së bagëtive me të dëmtuarin, tani të ndjerin G.B., i pandehuri nga oborri i shtëpisë së tij familjare e cila kufizohet me oborrin e të ndjerit, thuhet se me armë të zjarrit-pistoletë ka shtënë një fishek në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit tani të ndjerë, i cili ka përfunduar në derën e hyrjes së shtëpisë.

Me këtë, sipas aktit akuzues i njëjti ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve dhe dëm pasuror andaj akuzohet se ka kryer veprën penale ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ nga neni 356 paragrafi 1 i KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se më 18 tetor 2021, rreth orës 8:15 në fshatin Batllavë të Komunës së Podujevës, në mënyrë mizore dhe me qëllim të përfitimit të dobisë materiale ka privuar nga jeta djalin e xhaxhait të tij, tani të ndjerin G.B., për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake në mes veti, në atë mënyrë që sipas aktit akuzues derisa i dëmtuari me biçikletën e tij kishte shkuar në punë nga fshati Gërdofv në fshatin Batllavë, i pandehuri me veturën e tij të markës ‘Kombi VW’, e kishte goditur në anën e djathtë të veturës dhe e kishte gjuajtur në tokë.

Në vazhdim thuhet se pas diku 20 m i akuzuari e kishte ndaluar veturën dhe është kthyer deri tek i dëmtuari i cili pas goditjes ka përfunduar në kanal të thellë rreth 5 m, i është ofruar dhe nga arma e zjarrit të dëmtuarin i cili ishte i goditur e kishte gjuajtur në kokë me 2 fishekë, me ç’rast i dëmtuari nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, Brahimi po akuzohet se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’ nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 dhe 1.6 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Brahimi akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 18 tetor 2021 në posedim të tij të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për armë, ka mbajtur një armë zjarri – pistoletë të markës ‘Bareta cal. 7.65’, me të cilën i akuzuari ka kryer veprat penale të lartcekura, ndërsa të cilin me një karitatorë të zbarët i akuzuari e kishte dorëzuar në polici pas kryerjes së veprës penale kur edhe është dorëzuar vet.

Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.




Huazuar nga

Previous articleEkskluzive/ Marku prish marrëveshjen me Lokomotivën
Next articleKurti reagon pas sulmeve ndaj Policisë në Ujman: Po zhvillohet hetim i plotë për këtë rast