HomeLajmeLajme nga KosovaOsmani dekoroi me medalje Presidenciale të Meritave pas vdekjes, gazetarin Sulejman Gashi

Osmani dekoroi me medalje Presidenciale të Meritave pas vdekjes, gazetarin Sulejman Gashi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot familjes së gazetarit Sulejman Gashi Medaljen Presidenciale të Meritave, me të cilën ajo e ka dekoruar Sulejman Gashin (pas vdekjes së tij).

Sipas një njoftimi për media, Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të tij.

“Në ceremoninë e organizuar sot, në prani të familjarëve dhe të miqve, Presidentja Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin z. Gashi, si gazetar e aktivist shumëvjeçar e ka dhënë për dhjetëvjetësha të tërë për shpërndarjen gjithandej të së vërtetës së Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se z. Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një afirmues i së drejtës së saj për liri”, thuhet në komunikatën për media.

Me këtë rast presidentja ka thënë: “Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për të në arenën ndërkombëtare”.

Familjarët e Gashit, por edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni shprehën mirënjohje ndaj Presidentes Osmani për kujdesin që po tregon ndaj personaliteteve të cilat kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe e falënderuan atë për dekoratën të cilën presidentja ia ka ndarë Gashi. /Telegrafi/ 




Huazuar nga

No comments

Sorry, the comment form is closed at this time.