Home Lajme nga Shqiperia Kraja: SPAK vepron në bazë provash dhe jo listash! Shumë institucione të...

Kraja: SPAK vepron në bazë provash dhe jo listash! Shumë institucione të përfshira tek inceneratorët

11

19:12 05/08/2022

Kreu i SPAK, Arben Kraja, ndodhet që prej ditës së hënë në SHBA, së bashku me drejtoreshën e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një tjetër prokuror të SPAK. Kraja ka pohuar për Zërin e Amerikës se gjatë këtyre ditëve ata kanë zhvilluar takime në institucionet më të larta, si DASH, Departamentin e Drejtësisë, FBI, DEA, apo struktura të tjera të zbatimit të ligjit.

“Qëllimi ynë i vizitës ishte që e para të prezantojmë punën e SPAK deri tani, pra çfarë kemi bërë, ku kemi arritur dhe së dyti të vendosim piketat e bashkëpunimit në të ardhmen, në kuptimin e strategjisë se si do të zhvillohet ky institucion. Në të gjitha takimet arritëm në një konkluzion të përbashkët, që ky projekt i filluar, që është një projekt i guximshëm duhet vazhduar dhe çuar deri në fund. Është një projekt i filluar nga shteti shqiptar në bashkëpunim me mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe BE, për krijimin e SPAK po flas, dhe në këto kushte duhet të vijojë mbështetja për ta konsoliduar më shumë edhe për të vazhduar punën si strukturë për të dhënë rezultatet që priten”, tha Kraja.

Në intervistë, pasi u pyet nëse në SPAK ka trysni nga opinionet politike, Kraja u shpreh se prokurorët veprojnë bazuar në ligje. Ai theksoi se është e rëndësishme që prokurorët e SPAK të jenë të pavarur dhe objektivë në vendimmarrje. Sipas tij, është rënë dakord mes tyre si grup prokurorësh dhe hetuesish të BKH që të rrinë sa më larg opinioneve që shprehen nga partitë politike në lidhje me punën që duhet të ndjekë SPAK.

“Ne veprojmë bazuar në ligje gjithmonë. Opinioni publik ka të drejtën e tij të shprehet. Partitë politike po ashtu. Secili shprehet sipas interesit të tij. Problemi është që duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ne nuk veprojmë në bazë të një liste të caktuar, apo në bazë të një radhe të caktuar, por në bazë të provave, për ato dosje penale që ne kemi dhe pastaj kur arrihet që provohet fajësia e dikujt marrim masa për t’i çuar për gjykim. Kjo është puna jonë. Ajo që kemi rënë dakord si grup, si prokurorë dhe hetues të BKH-së, është që të rrimë sa më larg këtyre opinioneve që shprehen qoftë nga parti politike, në media të ndryshme në lidhje me punën se çfarë duhet të bëjë dhe nuk duhet të bëjë SPAK. Secili prej prokurorëve ka dosjet e tij përpara. Është i pavarur. Është i detyruar të mbledhë prova, të japë zgjidhje ligjore dhe e rëndësishme është të jetë i pavarur dhe objektiv në vendimmarrje”.

Kraja foli edhe për çështjet që po hetohen, ndër to, inceneratorët.

“Çështja e inceneratorëve është çështje shumë komplekse sepse janë përfshirë shumë institucione shqiptare që kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti. Po kështu është një volum i madh pune për  të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Ne kemi tre hetime, pra tre çështje penale për secilin nga inceneratorët, pra Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. Për dy të parët kemi arritur disa konkluzione paraprake, kemi bërë disa njoftime që ju i dini tashmë sepse janë bërë publike. Kemi ngritur përgjegjësi për disa persona, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, por hetimet vazhdojnë. Edhe për inceneratorin e Tiranës do të vijojnë deri në fund për të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Në qoftë se ka përgjegjësi penale, kush ka dhe do përgjigjet kush të ketë shkelur ligjin”, u shpreh Kraja.

Sa i përket hetimit të koncesioneve në shëndetësi, Kraja tha se “Po punohet intensivisht sidomos tani pasi është plotësuar numri i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit me të gjitha këto dosje për të mbledhur provat e nevojshme dhe për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe ka përgjegjësi njeri apo jo. Ai që ka do përgjigjet para ligjit, kushdo që të jetë”.

Kraja foli edhe për hetimin e grupeve kriminale. Sipas tij, grupet shqiptare kanë rritur aktivitetin jashtë vendit dhe paratë që i fitojnë i investojnë në vendin tonë. Prandaj për këtë arsye ai u shpreh se SPAK ka vendosur kontakte me institucionet e huaja në mënyrë që të godasin këto grupe./tvklan.al




Huazuar nga

Previous articleEscobar: SHBA mbetet mik i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut
Next articleUshtria serbe në gjendje të lartë gatishmërie pranë kufirit me Kosovën, a është ky kërcënim?