Home Lajme nga Kosova Kampanja për lejimin e shamisë në shkolla – deklarohet Ministria e Arsimit

Kampanja për lejimin e shamisë në shkolla – deklarohet Ministria e Arsimit

8

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI), ka thënë se është duke e trajtuar me kujdes kërkesën për ndryshimin e një neni në udhëzimin administrativ, i cili ua ndalon vajzave me mbulesë të vijojnë procesin mësimor.

Në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, nga ky dikaster kanë pohuar se do ta bëjnë publik sapo të ketë një vendim të ri lidhur me këtë çështje.

“Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do të ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

Tutje, thuhet se “Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, kjo sepse shkolla jonë është sekulare. Krahas shtetit sekular, e drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet askujt, nga askush”.

“Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për shaminë” është kampanja përmes së cilës Durim Berisha dhe Liridon Kurti po kërkojnë të ndryshohet ky nen.

Të hënën ata i kanë dërguar shkresë ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavcit, për t’i kërkuar ndryshimin e nenit 3, pasi sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Ky nen në udhëzimin administrativ të miratuar në vitin 2014 është ende në fuqi, duke ndaluar bartjen e uniformës fetare në objektet arsimore. Ndryshimi i këtij neni është kërkuar disa herë nga komuniteti islam.

Kryeministri aktual i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në deklarimet e tij, gjatë fushatës zgjedhore por edhe nëpër intervista televizive, ka thënë se është kundër ndalimit të bartjes së shamisë. Sipas tij, kjo është çështje e të drejtave elementare njerëzore.

“Ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës”, ka thënë Kurti në një tubim në vitin 2017, duke shtuar se partia e tij do ta “luftojë islamofobinë”.

“Pra ne nuk do ta pengojmë një vajzë që shkollohet, ose një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor, për shkak se në njërën anë është e drejta e mësimit, e në anën tjetër është bindja jonë se është e rëndësishme çka ke në kokë, e jo çka ke mbi kokë”.

Prej kohës kur Kurti është bërë kryeministër, ai nuk ka thënë asgjë se cili do të jetë vendim i Qeverisë së tij në lidhje me bartjen ose jo të shamisë në shkolla.

Kujtojmë që, Kushtetuta e përcakton Republikën e Kosovës si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. /Telegrafi/




Huazuar nga

Previous articleAmbasada e SHBA-së dhuron donacion për burgjet e Kosovës
Next articleMuaji korrik në Maqedoni ka qenë i nxehtë dhe me lagështi mbi mesataren