HomeLajmeLajme nga KosovaLladrovci: Çka po pret Albin, shkarkoje Rakiqin!

Lladrovci: Çka po pret Albin, shkarkoje Rakiqin!

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz lladrovci, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, i ka kërkuar kryeministrit Kurti ta shkarkojë ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiqin.

Lladrovci, duke iu referuar deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili në një intervistë për RTK ka thënë se Lista Serbe nuk janë pjesë e koalicionit qeveritar dhe për herë të parë të ekzistencës së tyre, ata janë të devalvuar politikisht.

“Pasi Ministri kompetent e profesional e vlerësoi ‘Listën Serbe’ si ‘parti të devalvuar’ dhe parti që ‘bashkëpunon me grupet kriminale’, çka po pret Albin, shkarko Rakiqin dhe të emëruarit e tij në Qeveri dhe trupat tjera ekzekutive”, ka shkruar Lladrovci në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

“Çka po pret Albin!?

Pasi Ministri kompetent e profesional e vlerësoi “Listën Serbe” si “parti të devalvuar” dhe parti që “bashkëpunon me grupet kriminale”, çka po pret Albin, shkarko Rakiqin dhe të emëruarit e tij në Qeveri dhe trupat tjera ekzekutive.

“Bashkëjetesa” politike me ata që bashkëpunojnë me “grupe kriminale”, është bashkëqeverisje e çoroditur. Ka dy rrugë, ose nuk janë të sakta konstatimet se ata “bashkëpunojnë me grupe kriminale” dhe janë deklarata kuturu, ose ju bashkëqeverisni me bashkëpunëtorët e krimit me vetëdije dhe kështu Ju bëni krim.

Çka po pret Albin, së paku përgjigju ndaj kërcënimit të Rakiqit. Vepro, ndryshe, fjalët dhe veprat Tuaja po shkojnë me shpejtësi të frikshme në binarë të kundërt pa gjasa të përpiqen diku!”, ka shkruar Lladrovci.

Ndryshe, kreu i Listës Serbe dhe ministri për Kthim, Goran Rakiq, ka qenë pjesë e barrikadave të vendosura të dielën në veri të Kosovës, në kundërshtim të zbatimit të masës së reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe fillimin e regjistrimit të veturave me targat e automjeteve për qytetet e Kosovës, që lëshohen në Serbi.

Ndryshe, Lista Serbe përfaqësohet në Qeverinë e Kosovës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, ndërkaq po ashtu ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/




Huazuar nga

No comments

Sorry, the comment form is closed at this time.