Home Lajme nga Kosova Gjykata gjobit me 3.400 euro katër policë për keqtrajtimin e dy qytetarëve...

Gjykata gjobit me 3.400 euro katër policë për keqtrajtimin e dy qytetarëve gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

11

Ferizaj- Gjykata Themelore në Ferizaj, i ka dënuar me 3 mijë e 400 euro gjobë zyrtarët policorë Fatlum Xheladini, Arian Obrazhda, Ardit Qorolli dhe Jeton Ramusholli për veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, nga gjyqtari i çështjes Shabi Idrizi.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Fatlum Xheladini dhe Jeton Ramusholli u dënuan me burgim në kohëzgjatje prej 60 ditësh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarve iu është zëvendësuar në dënim me gjobë në lartësi prej 900 euro (secilit veç e veç).

Kurse, dy të akuzuarit e tjerë Arian Obrazhda dhe Ardit Qorolli u dënuan me nga 800 euro gjobë (secili veç e veç) për veprën penale në bashkëkryerje “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Të akuzuarit janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 30 euro, si dhe shumën prej 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërsa, të dëmtuarit janë udhëzuar që kërkesat pasurore-juridike t’i realizojnë në kontest civil.

Gjykatësi Idrizi bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afatin e paraparë ligjor.

Sipas aktakuzës më 17 dhjetor 2017, rreth orës 23:30, fillimisht në afërsi të pompës së derivateve “Hib Petrol”, e cila gjendet në rrugën “Reçaku”, në Ferizaj, të akuzuarit kishin ndaluar automjetin e tipit “BMW” të cilin e ngiste Arben Bakija, në të cilin si pasagjer kishte qenë edhe Visar Neziri.

Të njëjtit, thuhet se kishin nxjerrë pasagjerin nga automjeti të cilin e kishin ndaluar, e kishin kontrolluar dhe e kishin vendosur në automjetin zyrtar të policisë, pastaj nga dritarja e kishin nxjerrë edhe Arben Bakiun, (shoferi i veturës BMW) të cilin pastaj e kishin shtrirë në tokë dhe para se ta prangosnin e kishin goditur disa herë me grushte dhe shqelma në trup dhe brinjë, në vazhdimësi edhe pas vendosjes së prangave derisa e kishin dërguar në automjet në të cilin kishin vazhduar ta godasin edhe derisa e kishin dërguar në stacionin policor në Ferizaj.

Ndërsa, Visar Neziri thuhet se derisa kishte qenë në objektet e stacionit policor në Ferizaj ishte goditur aty, fillimisht Jeton Ramusholli ia kishte kapur dy duart nga mbrapa dhe ia kishte ulur kokën, kurse Fatlumi Xheladini e kishte goditur me shuplaka, ku përveç shuplakave në fytyrë të cilat kishin qenë 3-4 herë, nga ai kishte pasur edhe goditje në bark, po ashtu edhe me shqelma në doren e majtë, ku për pasojë të dëmtuarit i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Aktakuza thotë se me datë, kohë dhe vend si në pikën e parë të këtij dispozitivi, në cilësi të personit zyrtar (policë) në bashkëkryerje kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, ashtu që me rastin e arrestimit të tyre (të dëmtuarit) dhe pasi që i kishin dërguar në dhomat e stacionit policor, i kishin keqtrajtuar të dëmtuarit Arben Bakija dhe Visar Neziri, duke përdorur masa fizike dhe psiqike.

Me çka, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198, par 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, raporton betimiperdrejtesi./Telegrafi/




Huazuar nga

Previous articleLSDM: Ilindeni është forca jonë për të ndërtuar vend me të ardhme evropiane
Next articleJetesa në Maqedoni është shtrenjtuar për 100 euro më shumë në krahasim me vitin e kaluar