DibraNet.com – Qendra e Informimit Dibran

Lajme nga Kosova

Takimi mes Kurtit e Vuçiqit mund të mbahet në javën e tretë të gushtit

Me 19 korrik të këtij viti ishte planifikuar një takim mes krerëve shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo një takim i tillë dështoi me arsyetimin e palës serbe se ishte planifikuar në Beograd një vizitë e presidentit të Egjiptit.

Nga Zyra e Kryeministrit thonë se kryeministri Kurti vazhdimisht ka qenë i gatshëm për dialog, derisa akuzojnë Serbinë për refuzim të dialogut.

“Siç e dini, takimi i paraparë të mbahej me 19 korrik dështoi sepse Beogradi zyrtar refuzoi që ai të zhvillohet duke kërkuar që një takim i tillë të shtyhet për më shumë se një muaj. Kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje bilaterale”, ka thënë për Telegrafin, Përparim Kryeziu – zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë ai thotë se një takim i mundshëm në Bruksel mes Kurtit e Vuçiqit mund të mbahen në fund të këtij muaji.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji”, shtoi tutje Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, megjithatë ka thënë se çështja e targave nuk është më temë e dialogut pasi sipas tij ajo është kryer në të kaluarën.

“Këto vendime janë të qeverisë, që janë të parapara edhe në marrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën. Atë që ne e kemi filluar me 1 gusht dhe do ta vazhdojmë me 1 shtator është zbatuar për tash e 11 vjet nga Serbia”, tha Kryeziu.

Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq./Telegrafi/




Huazuar nga

Most Popular

To Top