HomeLajmeLajme nga ShqiperiaVeliaj inspekton lagjen e re në Zall Herr: Në Shtator Tirana me lagjen më të bukur për të prekurit nga tërmeti

Veliaj inspekton lagjen e re në Zall Herr: Në Shtator Tirana me lagjen më të bukur për të prekurit nga tërmeti

14:29 01/08/2022

Shtëpitë e rindërtuara në lagjen e re në Zall Herr janë thuajse në përfundim dhe shumë shpejt do të jenë gati të presin familjet e prekura nga tërmeti. Lagjja e re është një hapësirë e urbanizuar me të gjitha shërbimet e nevojshme për komunitetin. Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se e gjithë zona do të marrë një vlerë të shtuar, falë investimit që po bëhet aty.

Është kantieri më i bukur i lagjeve të reja, një biletë e re për t’ia filluar jetës nga e para. Ka asfalt, kanale kulluese, sistem grumbullimi të plehrave, me ndriçim LED, me një park te dera e shtëpisë, me një qendër komunitare për të bërë detyrat. Duket tamam si zonat rezidenciale që i sheh kudo, në Angli, Amerikë, Australi, pa gardhime, që do bëjë xhelozë edhe pasanikët e Lundrës e Farkës”, u shpreh Veliaj.

Për ata që dyshojnë, Veliaj tha se mjafton të kalojnë nëpër Tiranë, nga qendra e deri në periferi, për të kuptuar se puna flet vetë.

Kush ka qenë dyshues për çështjen e Astirit, mjafton të kalojë sot në Unazën e Madhe për të parë se puna flet vetë! Kush ishte dyshues për rindërtimin, të vijë në Zall Herr, flet puna vetë! Kush beson te puna jonë për Unazën, do flasë puna vetë. Mbaruam Ndroqin, po mbarojmë edhe Baldushkun. Në Zall Herr jemi më afër fundit. E mira e kësaj pune është se duke mbyllur punët në të gjitha zonat periferike, fokusohemi vetëm në dy pika: në Kombinat dhe te ‘5 Maji’, ku gjatë verës do të vazhdojmë me shortet për të ndarë apartamentet e reja, duke qenë se një pjesë e madhe e pallateve tek njësia 4 dhe 8 janë bërë gati për t’u shpërndarë”, nënvizoi ai.

Kryebashkiaku tha se puna në Tiranë do të vijojë edhe gjatë verës, që kur qytetarët të kthehen nga pushimet të gjejnë punët e përfunduara.

Terminali i Farkës është thuajse gati. Me të njëjtin standard do të hapim garën për terminalin te kthesa e Kamzës. Edhe aty patëm 7 vjet peripeci, me shpronësime, gjyqe, masa bllokimi. Tani të përveshim mëngët, të hedhim shortin, të mbyllim me shpejtësi qendrën komunitare, që kur të vijë Shtatori, fëmijët dhe pensionistët ta kenë gati, që pastaj të fokusohemi te dy vatrat e fundit që na kanë mbetur në Tiranë. Po bëjmë gati 12 shkolla të reja, po ashtu edhe lagjet e reja, sepse gjatë verës qyteti ka më pak trafik edhe ne mund të punojmë më shumë me mjetet e rënda, por rëndësi ka përfundimi dhe përfundimi është një mrekulli”, përfundoi Veliaj./tvklan.al




Huazuar nga

No comments

Sorry, the comment form is closed at this time.