Home Lajme nga Kosova Takimi Kurti-Vuçiq mund të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut

Takimi Kurti-Vuçiq mund të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut

15

Gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se janë duke punuar për organizimin e takimit Kurti-Vuçiq, i cili pritet të mbahet gjatë muajit korrik. Nga zyra e kryeministrit Kurti kanë thënë se ende nuk ka ftesë zyrtare nga Brukseli për një takim të tillë, por ai mund të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi ka thënë për Telegrafin se është folur nëpër takime të ndryshme mundësia për takim të kryenegociatorëve dhe pastaj edhe të krerëve shtetërorë, Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë.

“Ende nuk ka ftesa zyrtare. Nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Kjo varet nga ndërmjetësuesit në Bruksel, z.Borrell dhe z.Lajçak”, tha Kelmendi për Telegrafin.

Edhe nga Bashkimi Evropian në një përgjigje për Telegrafin dy ditë më parë kanë thënë se kur të kenë diçka konkrete do të njoftojnë me kohë.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut kur është e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Ndryshe, gjatë vizitës në Kosovë (29.06.2022) Lajçak ka thënë se takimi i radhës në kuadër të kryenegociatorëve do të mbahet në korrik, dhe se janë duke punuar për takimin e Kurtit me Vuçiqin.

“Takimin e radhës në kuadër të kryengociatorëve do ta kemi në korrik, dhe jemi duke punuar që ti takojmë udhëheqësit kryesor të dialogut, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, dhe do të doja që kjo të ndodh para pushimeve verore. Po punojmë që të krijojmë mundësi për këtë ka një numër dokumentesh për të cilat po diskutojnë e që janë për personat e zhdukur, bashkëpunimin rajonal etj”, ka thënë Lajçak.

Edhe presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Slloveni, në konferencën e përbashkët për medie, me presidentin slloven, Borut Pahor, bëri të ditur se gjatë këtij muaji mund të ketë takim mes kryemininistrit Kurrti dhe presidentit serb Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021.

Deri më tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Kujtojmë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/




Huazuar nga

Previous articleMaqedoni: 355 raste të reja me Covid-19
Next articleKovaçevski: Politikanët t’i mos fusin qytetarët në protesta të dhunshme, duke u dhënë premtime të rreme