Home Lajme nga Shqiperia Kushi: Financim shtesë për universitetet publike për ndërkombëtarizimin dhe programet prioritare

Kushi: Financim shtesë për universitetet publike për ndërkombëtarizimin dhe programet prioritare

10
0

13:30 22/06/2022

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në modelin e financimit të buxhetit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Në daljen e saj publike Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi tha se këto ndryshime kanë për qëllim që të reflektojnë në formulën e financimit politikat e reja që janë ndërmarrë në fushën e Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, siç është ndërkombëtarizimi i universiteteve për programe studimi të përbashkëta dhe shpallja e programeve prioritare për zhvillimin e vendit.

Kushi tha se formula e ndryshuar e financimit do të ketë disa elemente shtesë. Për shembull, të gjitha universitetet që kanë programe prioritare, programe të përbashkëta, apo të dyfishta me universitetet e huaja, do të përfitojnë financim shtesë bazuar në numrin e studentëve që janë të regjistruar në këto programe.

Ministrja Kushi tha se ky është një model që nxit konkurrencën e lirë midis universiteteve që kanë të njëjtin status, ofron mundësi të barabarta në varësi të statusit që kanë universitetet dhe nxit performancën e universiteteve, për sa i takon mësimdhënies, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese, bazuar në treguesit e cilësisë.

Menjëherë pas miratimit të këtij vendimi ministrja tha se do të shpallet një thirrje për të gjitha universitetet publike që të aplikojnë me projekte për financim shtesë për kërkimin shkencor në kuadër të ndërkombëtarizimit, për të mbështetur këto programe të përbashkëta apo të dyfishta të studimit.

Ajo shtoi se të gjitha ato universitete që janë të përfshira në procesin e ndërkombëtarizimit, dhe që kanë nevojë për infrastrukturë shtesë, siç mund të jenë laboratorët, mund të aplikojnë në këtë thirrje që ne do të shpallim dhe të marrin financim shtesë në mënyrë që të rrisin performancën dhe të realizojnë qëllimin që kanë këto programe studimi./tvklan.al




Huazuar nga

Previous articleVjen i nxehti afrikan – Tv Klan
Next articlePublikohet paga mesatare neto për muajin prill në Maqedoni