Home Lajme nga Kosova Koalicioni i OJQ-ve: Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të kthehet në...

Koalicioni i OJQ-ve: Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të kthehet në pikën zero, fletëpoentimet e konfirmojnë një gjë të tillë

8
0

Organizatat joqeveritare si Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se më 24 mars 2022, prezantuan raportin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”.

Sipas njoftimit thuhet se në këtë raport si dhe në vazhdimësi, Koalicioni i organizatave joqeveritare e shihte të domosdoshme që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të kthehej në pikën zero, duke vlerësuar që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte dështuar të siguronte integritetin dhe meritokracinë e këtij procesi.

“Mes tjerash, Koalicioni kishte vlerësuar që paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të kandidatëve. Një parregullsi e tillë e procesit tani dëshmohet më së miri nga formularët e vlerësimeve të kandidatëve (fletëpoentimet) nga secili anëtar i panelit intervistues. Këto fletëpoentime Koalicioni ka arritur t’i sigurojë më 10 qershor 2022, vetëm përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi që Këshilli Prokurorial nuk ishte përgjigjur fare në Kërkesën për Qasje në Dokumente Publike të Koalicionit, të dorëzuar më 4 prill 2022.

Pas analizimit të fletëpoentimeve të secilit anëtar të panelit intervistues, për secilin kandidat për Kryeprokuror të Shtetit, Koalicioni ka vërejtur se arsyetimi i vlerësimit për secilën kategori poentuese është i cekët dhe i mungon analiza e duhur, dhe është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin për nenet 13 dhe 14 të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit dhe Kryeprokurorëve, të miratuar nga vetë KPK. Anëtarët e panelit intervistues nuk kanë arritur që të japin një arsyetim analitik për vlerësimin e bërë, duke dhënë thjeshtë arsyetime sipërfaqësore, pa një analizë të mirëfilltë dhe arsyetim bindës për vlerësimin e bërë”, thuhet në njoftim.

Organizatat joqeveritare kanë theksuar se edhe pse arsyetimi dhe argumenti do duhej të organizohej në atë formë që sa më shumë të jetë bindës dhe po ashtu për ta mbrojtur vet poentimin e anëtarit, megjithatë paneli intervistues nuk ka arritur që të ndërtojë një arsyetim të tillë, pasi poentimi i këtyre anëtarëve nuk përputhet me arsyetimin e dhënë dhe kjo më së miri vërehet në disa kategori poentuese ku arsyetimi i anëtarit është plot me lavde dhe pa asnjë vërejtje dhe më pas kandidatit i hiqen disa pikë, pa treguar arsyen se pse po i hiqen ato pikë dhe ku ka dështuar kandidati.

“Sipas Udhëzuesit të lartpërmendur, për të siguruar një qasje të drejtë, të qëndrueshme dhe meritore, anëtarët e Panelit duhet të marrin shënime rreth përgjigjeve të pyetjeve dhe ta përdorin atë informacion për të vendosur se çfarë standardi ka arritur kandidati në lidhje me kompetencën specifike në shqyrtim. Mirëpo, me arsyetime kaq të cekëta, më nga vetëm një faqe për kandidat, me minimum fjalish për një kategori poentuese (në raste të caktuara vetëm me një fjali), tregohet qartë se anëtarët e panelit intervistues të KPK-së, të japin përshtypjen se këtë proces e kanë zhvilluar shkel e shko, pa i dhënë kohën dhe rëndësinë që i takon këtij procesi, si dhe nuk kanë arritur të përçojnë në publik bindjen se vlerësimi i bërë për kandidatët ishte adekuat, i bazuar në intervistë dhe çka është më e rëndësishmja duke cenuar meritokracinë e procesit.

Gjithashtu, në arsyetimin e fletëpoentimeve, është parë se anëtarët e panelit intervistues nuk i kanë as vetë të qarta kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ato të Këshillit Prokurorial, pasi në arsyetimin e tyre, kandidati vlerësohet se nuk ka treguar vizion, strategji dhe aftësi menaxhuese për sfidat e përgjithshme në sistemin prokurorial të cilat janë në kompetencë të KPK-së si organ kolegjial dhe asesi kompetencë dhe përgjegjësi e Kryeprokurorit të Shtetit. Lidhur me këtë problematikë Koalicioni edhe në raportin e publikuar për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit kishte theksuar se shumë pyetje në formularin e Koncept Dokumentit ndërlidhen me proceset që janë kompetencë e KPK-së e jo e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Si përfundim, gjetjet e kaluara të Koalicionit se, mes tjerash, Rregullorja për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës si dhe Udhëzuesi përkatës nuk kanë gjetur zbatim adekuat në vlerësimin e kandidatëve, duke dështuar të sigurohet integriteti dhe meritokracia e procesit, kjo rikonfirmohet edhe pas sigurimit të fletëpoentimeve të anëtarëve të panelit intervistues. Prandaj, Koalicioni vazhdon të insistojë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit duhet të kthehet në pikën zero, në mënyrë që të garantohet integriteti dhe meritokracia e procesit. /Telegrafi/




Huazuar nga

Previous articleDitët në vijim në Shkup do të realizohet spërkatje kundër mushkonjave
Next articleGrupi legjendar i rrokut “The Animals” në Tiranë