Home Lajme nga Kosova ​Kongresi Panshiptar Amerikan: Ballkani i Hapur vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën

​Kongresi Panshiptar Amerikan: Ballkani i Hapur vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën

14
0

Bordi i Organizatës Kongresi Panshiptar Amerikan (KPA) në një deklaratë për media ka thënë se nisma e Ballkanit të Hapur nuk mund të ketë bazë për sa kohë që Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe refuzon të pranojë fajin për politikën e vet prej dekadash të represionit dhe krimeve të luftës në Kosovë.

Kryetari i Bordit të KPA-së, Mani Çelaj tha se Ballkani i Hapur ofron një platformë për zgjerimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës përmes Serbisë dhe si i tillë bie ndesh me përpjekjet e SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Nisma e Ballkanit të Hapur nuk bazohet në parimin e barazisë së anëtarëve. Kjo nismë nuk e konsideron Kosovën si shtet të pavarur dhe kërkon të vendosë hegjemoni ekonomike të Serbisë mbi rajonin, të ndërtuar përmes politikave që minojnë stabilitetin afatgjatë dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

KPA mirëpret deklaratën e të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar se çdo iniciativë e integrimit ekonomik duhet të përfshijë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si të barabarta”

Për më tepër, KPA i bën thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të përqendrojë përpjekjet në mbështetje optimale të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe interesave afatgjata kombëtare të Shqipërisë duke punuar me liderët e Kosovës për të forcuar partneritetin mbi vlerat e përbashkëta dhe aspiratat e ardhshme për integrim në BE.

KPA beson se korniza e vetme për ta arritur integrimin e barabartë ekonomik është Tregu i Përbashkët Rajonal, për të cilën të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord më 2020 në Sofje, e që do të pasohet me një plan prej 30 miliardë eurosh të financuar nga BE-ja dhe që lidhet me perspektivat e anëtarësimit të rajonit në BE./Telegrafi/




Huazuar nga

Previous articleVazhdon lobimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, peticioni i dërgohet edhe Macronit
Next articleTorino zgjedh Berishën – Tv Klan