Home Lajme nga Bota I nxehti rrit kërkesën për gaz në Europë

I nxehti rrit kërkesën për gaz në Europë

10
0

18:38 18/06/2022

Italia mund të shpallë gjendjen e alarmit për mungesën e gazit javën e ardhshme

Flukset e gazit rus drejt Evropës ranë, duke përkuar edhe me një valë të hershme të nxehtit që ka përfshirë jugun e saj dhe duke rritur çmimet.

Shumë vende tanimë i frikësohen faktit se nuk do të jenë të gatshme të krijojnë depozita gazi për ta ruajtur atë gjatë dimrit. Vala e pazakontë e të nxehtit në disa pjesë të Spanjës dhe Francës shtoi shqetësimet, duke nxitur më shumë blerje të gazit ndërsa kërkesa për energji elektrike u rrit. Me rritjen e temperaturave, termocentralet spanjolle blenë më shumë gaz për të prodhuar energji elektrike.

Italia dhe Sllovakia raportuan se kishin marrë më pak se gjysmën e vëllimeve të zakonshme përmes gazsjellësit Nordstream 1, i cili kalon Detin Baltik nga Rusia në Gjermani dhe përbën rreth 40% të flukseve të tubacioneve ruse në Bashkimin Evropian.

Franca tha se nuk kishte marrë asnjë sasi gazi rus nga Gjermania që nga 15 Qershori. Rregullatori i Energjisë Gjermane e përshkroi situatën si të tensionuar, por tha se furnizimet gjermane me gaz ishin të qëndrueshme për momentin. 

Kompania Eni e Italisë tha se do të merrte vetëm gjysmën e 63 milionë metër kub në ditë që kishte kërkuar nga Gazprom i Rusisë. Kryeministri italian Mario Draghi, i cili vizitoi Ukrainën së bashku me homologët e tij francezë dhe gjermanë akuzoi Moskën se përdor furnizimet e saj me gaz për arsye politike.

Italia mund të shpallë një gjendje alarmi për gazin javën e ardhshme nëse Rusia vazhdon të frenojë furnizimet, kanë bërë të ditur burimet qeveritare, që do të nënkuptonte reduktimin e konsumit të gazit, racionimin e gazit për përdoruesit industrialë dhe rritjen e prodhimit të energjisë me qymyr.

Në të gjithë Evropën, importet e gazit natyror të lëngshëm kanë rritur nivelet e magazinimit. Nëse Gazprom rinis flukset e Nord Stream me kapacitet të plotë, gjë që konsiderohet e pamundur, Evropa teorikisht mund të mbushë depozitat në një masë prej 80% deri më 1 Nëntor.

Klan News




Huazuar nga

Previous articleInstituti ATOMI certifikoi dhe shpërbleu më të suksesshmit e Garës Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo 2022 në Kosovë
Next articleMaqedonia, Serbia dhe Shqipëria me projekt të përbashkët për pikëpagesat rrugore