Home Lajme nga Kosova Hoxha: Këtë vit ka rritje të pacientëve me tuberkulozë

Hoxha: Këtë vit ka rritje të pacientëve me tuberkulozë

9
0

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha thotë se gjatë vitit 2022 ka një tendencë të rritjes së rasteve të reja të prekur nga tuberkulozi.

Aktualisht në këtë klinikë të Qendrës Universitare të Kosovës (QKUK), janë të shtrirë 16 pacientë që vuajnë nga kjo sëmundje. E vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, 73 persona janë diagnostikuar me sëmundjen e mushkërive.

Pulmologu Hoxha u shpreh se pandemia COVID-19 ka ndikuar që rastet e reja me tuberkulozë mos të evidentohen me kohë.

“Pasi është qetësuar pandemia kemi për ditë raste më tepër edhe me tuberkuloz edhe me kancer të mushkërive…. Si tendencë dhe si trend ka rritje të sëmurëve edhe me kancer por edhe me tuberkuloz si tendencë, tash për momentin një repart e kemi ‘repartin B’ që pothuajse 99% janë me tuberkulozë…. Përafërsisht janë 16 të sëmurë me tuberkulozë… Numri i atyre me kancer të mushkërive është 12-13 për momentin”, theksoi Hoxha.

Hoxha, e konsideron brengosëse faktin se moshat nga 20 deri në 30 vjeç kryesisht po preken nga tuberkulozi.

“Është brengosëse se një numër goxha i madh është edhe tek pacientët e moshave të reja në mosha 20 deri në 30 vjet që janë duke u trajtuar, numri i moshave të reja ka treguar një trend të rritjes”, u shpreh pulmologu Hoxha.

Duke folur për terapitë që i marrin pacientët me tuberkuloz, Hoxha tha se aktualisht janë në stoqet e fundit të antituberkularëve, por beson që furnizimi do të bëhet së shpejti.

“Sa i përket pajisjeve me barna dhe material shëndetësor edhe gjatë kohës së pandemisë ka qenë furnizimi mjaftë i kënaqshëm, por edhe tani kemi në përgjithësi barnat kryesore, thuajse i kemi aty këtu ndonjëherë mund të na mungojë ndonjë bar vitaminoz apo diçka që nuk çon peshë… Aktualisht me antituberkular jemi në stoqet e fundit dhe prej informatave të Fondit Global thonë se do të bëhet furnizimi së shpejti me antituberkular”, theksoi Hoxha.

Ndonëse në Kosovë numri i rasteve të reja por edhe aktive me COVID-19 është i ulët, drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha shprehet se në këtë klinik po vazhdojnë që të kërkojnë ndihmë pacientët post-COVID.

“Për momentin janë diku 28 raste post-COVID, siç dihet ato raste janë të cilat gjatë COVID-it kanë qenë raste të rënda me pneumoni masive dhe që kanë pas nevojë për trajtim me oksigjeno-terapi dhe që kanë sëmundje bashkëshoqëruese edhe të sistemit kardiovaskular edhe diabet. Kështu që ato raste ndodhin që kohë pas kohe na kthehet si ri-hospitalizime”, u shpreh ai.

Në Klinikën e Pulmologjisë trajtim mjekësor aktualisht po marrin 63 pacientë në gjendje stabile. /Kp/Telegrafi/




Huazuar nga

Previous articlePolicia e Maqedonisë së Veriut me aksion anti-drogë, arrestohet 19-vjeçari
Next articleZjarret, disa bashki pa strukturat e Emergjencave Civile