Home Lajme nga Kosova Shërbimi Korrektues i Kosovës tash e mbi 1 vit pa drejtor, ministria...

Shërbimi Korrektues i Kosovës tash e mbi 1 vit pa drejtor, ministria thotë se konkursi është i hapur

12
0

Që nga 18 maji i viti të kaluar, Shërbimi Korrektues i Kosovës është pa drejtor të rregullt (SHKK).

Në këtë datë, Nehat Thaçi u pezullua nga detyra drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së, me vendim nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.

Ndonëse ka kaluar mbi një vit, ky institucion ende vazhdon të udhëhiqet nga zëvendësdrejtori Sami Gashi.

Nga Ministria e Drejtësisë në një përgjigje me shkrim për Telegrafin kanë bërë të ditur konkursi për këtë pozitë është i hapur në procedurë të konkurrimit.

Pa drejtor të rregullt aktualisht janë edhe tri qendra të paraburgimit dhe një qendër korrektuese.

Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë konfirmuar Telegrafin se për tri nga këto pozita janë hapur konkurse, ndërsa për një është iniciuar procedura e konkursit.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftoj se Shërbimi Korrektues aktualisht pa drejtor ka këto qendra:

Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, (konkursi është i hapur) pozita është mbuluar me zëvendësues dhe kjo qendër funksionon normalisht;

Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, (është iniciuar procedura e konkursit) pozita është mbuluar me zëvendësues dhe kjo qendër funksionon normalisht;

Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, (konkursi  është i hapur ) pozita është mbuluar me zëvendësues dhe kjo qendër funksionon normalisht;

Drejtor i Qendrës Korrektuese në Smrekovnicë, (konkursi  është i hapur) pozita është mbuluar me zëvendësues dhe kjo qendër funksionon normalisht”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Lidhur me mungesën e drejtorëve në këto qendra, nga ministria kanë thënë se kjo po ndodh për shkak se të njëjtëve u ka skaduar afati i kontratave.

“Shërbimi Korrektues ka nxjerr vendim për ndërprerjen e kontratës për drejtorët e disa institucioneve korrektuese për arsye se të njëjtit janë përzgjedhur me konkurs publik me afat të caktuar dhe afati i caktuar në kontrate u ka skaduar”, thuhet në përgjigjen e Flamur Pirevës, Këshilltar Politik i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

“Kundër vendimit të njëjtit kanë ushtrua ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ‘KPMSHCK’, ku ky i fundit me vendime të veçanta ka obligua SHKK-në, që të njëjtëve të ju lëshohet akt emërim me afat të pacaktuar”.

“Andaj, bazuar në vendimet e KPMSHCK-së, Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, ka nxjerr vendim për sistemimin e të njëjtëve në pozita udhëheqëse në Institucionet Korrektuese. Ndërsa në pozitat e tyre janë caktua zëvendësues të drejtorëve dhe janë hapur konkurset të cilat janë në procedurë. /Telegrafi/




Huazuar nga

Previous articleOsmani kërkon mbështetjen e Polonisë për Kosovën në Këshillin e Evropës
Next articlePublikohen dëshmi se si profesorët mobilizohen për t’iu ndihmuar nxënësve të kopjojnë në Provimin e Maturës