
23:56 17/06/2022
Braziliani me dy vite të mbetura në kontratë pritet të firmosë deri në 2028-ën
Real Madrid nuk mendon vetëm për merkaton në hyrje por edhe për blindimin e organikës aktuale. Pas Luka Modriç, kampionët e Europës i kanë ofruar rinovim të kontratës sulmuesit brazilian, Vinicius Junior.
Lojtari nga Rio de Zhaneiro ka rënë parimisht dakord për të zgjatur marrëveshjen me mbretërorët të paktën për 4 deri në 5 vite. 21-vjeçari ka kontratë me Realin e Madridit deri në vitin 2024, por sipas gjasave nuk kërkon të rrezikojë duke i ofruar një rinovim për të paktën deri në vitin 2028.
Në këtë mënyrë, Vinicius do të ketë një përmirësim në aspektin financiar, çka pritet të ndikojë jo pak në performancën e tij në fushë. Deri më tani, ai është nga lojtarët më pak të paguar në skuadër. Braziliani përfiton rreth 3 milionë Euro neto në sezon, ndërsa me kontratën e re ai mund ta dyfishojë këtë shifër.
Aktualisht, ai gjendet me pushime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me rikthimin në Spanjë do të ulet në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar rinovimin e marrëveshjes. Momentalisht ajo që dihet është fakti se braziliani do të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” për një kohë të gjatë. Kartoni i tij në treg vlerësohet me mbi 100 milionë Euro.
Klan News