Home Lajme nga Kosova Lajçak: Javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi Kosovë-Serbi

Lajçak: Javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi Kosovë-Serbi

7
0

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë  për Euronews Albania deklaron se javën e ardhshme pritet marrëveshje me rëndësi sa i përket dialogut mes dy vendeve.

Lajçak nuk specifikoi se çfarë konkretisht. Ai gjithashtu foli për një takim të tretë të mundshëm mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel, para verës.

Çështjet e pazgjidhura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë kthyer në një temë të nxehtë kohët e fundit – A shihni ndonjë shpresë për Maqedoninë e Veriut në Samitit e BE-së në qershor?

Nuk ka asnjë dyshim që Maqedonia e Veriut do t’i nisë negociatat e antarësimit dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë këtë qershor. Ju e dini që Bashkimi Europian i merr vendimet në bazë të konsensusit ndaj ne po punojmë fort që Presidenca Franceze apo edhe vetë presidenti Macron dhe liderët europianë si presidenti Charle Michele, por edhe shumë të tjerë po mundohen t’i ndihmojë të dyja palët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët që do t’i lejonte edhe Maqedoninë e Veriut edhe Shqipërinë të nisin negociatat këtë qershor.

Ju vetë personalisht e besoni se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë të nisin negociatat e anëtarësimit?

Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Ato i kanë plotësuar të gjitha kushtet. Dhe sigurisht ato janë gati. Unë duhet ta pranoj ama me sinqeritet që problemi qëndron me palën tonë – me Bashkimin Europian – pasi ne nuk kemi ende konsensus me të gjithë bllokun por të gjithë e dinë këtë dhe ne po punojmë vërtetë fort për ta pasur këtë bashkim.

Qeveria në Shkup ka përsëritur shpesh që këto mosmarrëveshje po e vrasin besueshmërinë e BE-së në rajon, a ndani dhe ju të njëjtin mendim?

Nuk mund të jemi krenar për shpejtësinë me të cilën po lëvizin gjërat për sa i përket integrimit në BE. Ky është fakt. Dhe BE ja dha premtimin rajonit 19 vite më parë që ai do të bëhej pjesë e Bashkimit Europian dhe në këto 19 vite vetëm Kroacia është bërë një anëtare me drejta të plota.

Dhe vetëm 2 prej 6 vendeve po negociojnë ndërsa 4 të tjerët vazhdojnë ende të presin. Ndaj këtu nuk ka vend për dyshim, ne duhet të mundohemi më shumë. Të dyja palët. Kur rajoni sjell rezultate atëherë edhe BE duhet të japë rezultate. Dhe për sa i përket çështjes së besueshmërisë, BE vazhdon të mbetet opsioni i vetëm dhe opsioni më pozitiv për të ardhmen të rajonit të Ballkanit . Nuk ka një ardhme të mirë për Ballkanin se ajo europiane dhe unë në fakt do të sugjeroja që ne ta kritikonim njëri tjetrin më pak dhe të bashkëpunonim më shumë dhe të garantojmë që kjo të ndodhi.

Po përsa i përket dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës – a keni parë progres?

Po në fakt është bërë shumë punë dhe ka pasur progres edhe pse kjo nuk ka qenë dhe aq e dukshme por e vërteta është se dy kryenegociatorët po takohen çdo muaj në Bruksel dhe ne po diskutojmë një numër çështjesh konkrete, si implementimi i marrëveshjeve të shkuara – që janë miratuar para disa vitesh por nuk janë implementuar – ne gjithashtu po diskutojmë rreth çështjeve të ditëve të sotme për t’u siguruar që ato të mos kthehen në probleme të mundshme dhe së fundmi ne po punojmë edhe për të ardhmen e marrëveshjes së normalizimit.

Ne do të kemi një tjetër takim mes kryenegociatorëve javën e ardhshme. Me shpresë, ne do të mund të njoftojmë rreth një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, dhe unë gjithashtu po shpresoj t’i bëj të dy liderët bashkë në Bruksel, për takimin e tretë të nivelit të lartë përpara pushimeve të verës.

Kemi parë disa sinjale pozitive për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën – a mund të ndodhi këtë vit?

Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë./EuronewsAlbania/.




Huazuar nga

Previous articleKonjufca niset drejt Hagës: Jemi të brengosur për procesin
Next articleKriza humanitare në Ukrainë tepër alarmuese