
11:32 17/06/2022
Për herë të shtatë në histori, Golden State është në majën e basketbollit amerikan. Ata fituan 103-90 finalen e gjashtë plej-off kundër Boston Sëlltik për të triumfuar me shifrat e përgjithshme 4-2. Një titull mëse i merituar ky për State, që tregon edhe njëherë forcën në parket.
Në 8 sezonet e fundit, skuadra e teknikut Steve Kërr ngre lart titullin numër 4 të NBA. E gjitha falë treshes fantastike të saj, Klaj Tompson, Drajmond Gren dhe Stefan Kërri, pjesë e Golden State në të katër triumfet e fundit.
Kërri ishte fantastik në fushë, duke realizuar 34 pikë, 7 rebaund dhe 7 asiste, më i miri në parket për State, duke merituar edhe titullin MVP, si lojtari më i mirë i ndeshjes. Finale të nisura keq për Golden State, pasi e pa veten në disavantazh dy herë, por arriti të përmbysë shifrat dhe të dërgojë në delir tifozët e saj. Të shumtë ishin ata që festuan në rrugët e San Françiskos, ku nuk munguan koret ndaj idhujve të tyre të zemrës.
Klan News