Home Lajme nga Shqiperia SPAK kërcënon median me burg për “Dumanin”. Ndalon publikimin e dëshmive, por...

SPAK kërcënon median me burg për “Dumanin”. Ndalon publikimin e dëshmive, por nuk heton ata që i nxorën

13
0

16:00 16/06/2022

Dalja në media e ngjarjeve kriminale të vrasjeve me pagesë që po rrëfehen para prokurorëve të SPAK nga i penduari Nuredin Dumani dhe që ishin pjesë edhe e debatit në parlament mes deputetit të opozitës Salianji dhe ministrit të Brendshëm Çuçi, duket se ka shqetësuar zyrtarët e SPAK. Me një shkresë zyrtare të shpërndarë sot nga drejtuesit e SPAK, bëhet thirrje që media të mos publikojë pjesë nga rrëfimet e këtyre ngjarjeve të bujshme që tronditen vendin në këto vitet e fundit, sepse po prishet ecuria e hetimeve. Në këtë shkresë SPAK, nuk harron që të kujtojë se në rast të kundërt do të ketë penalitete duke përmendur nenin 295/a të Kodit Penal, që në fakt parashikon deri në 6 vjet burg.

“Duke marrë në konsideratë rëndësinë e deklarimeve të dhëna prej këtyre shtetasve, faktin se jemi në fazën e hetimit paraprak intensiv dhe po kryhen shumë veprime të tjera hetimore në drejtim të personave që po hetohen si dhe në respektim të të drejtave të viktimave të veprave penale, bazuar edhe në nenin 103 të K.Pr.Penale, lind e nevojshme që të ndalohet publikimi i këtyre deklarimeve qoftë dhe i pjesshëm si dhe publikimi i përmbajtjes së tyre (qoftë edhe të pjesshme) nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv. Urdhërojmë ruajtjen e sekretit të deklarimeve të dhëna nga ana e shtetasve Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani, në kuadër të procedimit penal nr.75 të vitit 2022, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë apo si person ndaj të cilit zhvillohen hetime deri në përfundim të hetimeve. Ndalimin e publikimit qoftë edhe të pjesshëm të procesverbalit të deklarimeve të shtetasve Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime apo edhe në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ndalimin e publikimit të përmbajtjes së këtyre akteve nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv. Moszbatimi i këtij urdhri sjell përgjegjësi penale sipas parashikimeve të nenit 295/a, paragrafët 4 dhe 5 të Kodit Penal”.

Por, SPAK  nuk merr përsipër të shpjegojë se si ka mundësi që këto rrëfime të të penduarit Dumani të cilat janë dhënë vetëm përballë prokurorëve të vetë SPAK, përfunduan në mënyrë preferenciale në fakt, në duart e një pjese të medias. Duke zhbalancuar edhe vetë mënyrën e informimit të publikut dhe bashkëpunimin me median. Ato rrëfime që të gjithë po i lexojmë nëpër disa portale e media, nuk ka shumë mend të kuptohet, që kanë dalë nga vetë zyrat e prokurorëve të SPAK, të cilët në mënyrë aspak profesionale i kanë rrjedhur ato informacione në mediat që kanë dashur ata t’i dërgojnë. Do të ishte në nderin e vetë SPAK, si një institucion i sapo ngritur të drejtësisë së re shqiptare, që të niste fshesën dhe marrjen e masave për këto rrjedhje informacionesh nga vetë brenda çatisë së saj, para së të bëjë shkresa publike e të kërcënojë median me burg.

Tv Klan, nuk ka transmetuar asnjë nga këto pjesë të rrëfimeve të Nuredin Dumanit, por prishja e rregullave të bashkëpunimit mes organeve të drejtësisë dhe medias në mënyrën e informimit publik, duhet të rregullohet pikë së pari nga njerëzit që paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe që mbajnë poste publike dhe ndëshkimi në rastet e rrjedhjes së informacionit duhet të bëhet pikë së pari ndaj këtyre të fundit. Ndryshe do shohim sërish pamje si filmat me kaubojsa kur njëri polic qëllon policin tjetër brenda në komisariat në mes të Tiranës, pamje që sërish dolën në mënyrë preferenciale nga vetë njerëzit e shtetit dhe askush nuk mori masa ndaj tyre.

Tv Klan




Huazuar nga

Previous articleTupançeski në takim me drejtorët e burgjeve: Mbipopullimi dhe mungesa e kujdesit shëndetësor janë problemet më të mëdha
Next articleAutori u largua në këmbë, ja si ndodhi vrasja e 76-vjeçarit në Shkodër