Irani fajëson SHBA-në për vonesë të bisedimeve bërthamore

40


15:29 04/04/2022

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme: Teherani nuk do të presë përgjithmonë!

Irani ka fajësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vonesën e fundit në vazhdim të bisedimeve për finalizimin e marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, deklaroi në një konferencë për shtyp se Teherani “nuk do të presë përgjithmonë”, pasi pengesat e minutës së fundit kanë rrezikuar disa muaj të përpjekjeve për të ringjallur marrëveshjen e vitit 2015, e cila parashikon heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor.

Amerika është përgjegjëse për ndalimin e këtyre bisedimeve“, u shpreh ai. Çështja më e komplikuar duket se ka të bëjë me kërkesën e Iranit që Shtetet e Bashkuara të heqin Gardën Revolucionare Islamike nga lista e organizatave të huaja terroriste.

Gjithashtu Teherani ka kërkuar garanci që çdo president i ardhshëm amerikan nuk do të tërhiqet nga marrëveshja. Shkalla në të cilën sanksionet do të rikthehen është një tjetër çështje e pazgjidhur.

Më 2015, Irani ka nënshkruar marrëveshjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Marrëveshja kishte për qëllim frenimin e programit bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Klan News





Huazuar nga