VAR protagonist në Superligë – Tv Klan

43


00:12 04/04/2022

Sistemi i video-analizës prish festën e Teutës, mban gjallë shpresat e Skënderbeut

Rikthimi në stadiumin “Niko Dovana” është kthyer në tabu rezultatesh për Teutën. Durrsakët nuk shkuan më shumë se një barazim 0-0 ndaj Skënderbeut në javën e 27-të të Superligës.

Kampionët dështuan për të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e dytë radhazi në shtëpi, pas humbjes 2-1 të mesjavës në Kupë, çka i mban ende në ujëra të turbullta në renditje. Skuadra e Renato Arapit ishte më kërkuese ndaj korçarëve, që duket se formulën për të arritur tek barazimi e kanë mësuar shumë mirë. Në fundin e sfidës, Teuta gjeti golin me autor Jazxhi, por sistemi VAR prishi festën e durrsakëve, duke bërë që sfida të mbyllet në barazim 0-0.

Për Skënderbeun ky është barazimi i tretë radhazi në kampionat, të gjitha me Skënder Gegën në pankinë. Por një pikë që ndoshta nuk vlen për të shpëtuar fatet e sezonit, pasi korçarët mbeten shumë larg nga zona e shpëtimit 9 javë nga fundi.

Bardhekuqtë numëron 20 pikë në vendin e fundit dhe vetëm një mrekulli do shmangte rënien një kategori më poshtë. Teuta ka grumbulluar 32 pikë pas 27 javësh dhe me 4 pikë më shumë se Kastrioti që ka edhe një sfidë për të luajtur misioni mbijetesë po kthehet në një objektiv real.

Klan News

Të ngjashme





Huazuar nga