Sveçla: Suksesi i ditës së diel është falë punës së kolegëve të Enver Zymberit

55


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, ka folur për organizimin e serbëve të Kosovës, për të votuar në Serbi.

Ai ka thënë se gjatë ditës së diel është punuar me kapacitete të shtuara policore në të gjitha komunat dhe pikat kufitare për të mos krijuar pritje të gjata, e të cilat kanë kaluar pa asnjë problem apo incident.

Në një postim në Facebook, Sveçla thotë se suksesi i ditës së sotme është në masën më të madhe falë punës së policëve kolegë të Enver Zymberit, i vrarë 11 vjet më parë gjatë një aksioni të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për t’i vendosur nën kontroll pikat kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.

“Suksesi i ditës së sotme është në masën më të madhe falë punës së policëve, kolegëve të Enver Zymberit i cili po që se nuk do të vritej në përpjekjet për shtrirje të sovranitetit e integritetit territorial, do të festonte ditëlindjen e tij. Profesionalizmi i gjithë zyrtarëve policor sot, është urimi më i mirë që do të mund ta merrte ai”, ka shkruar Sveçla.

Votuesit në Serbi të dielën kanë votuar për zgjedhjet presidenciale, me presidentin populist Aleksandar Vuçiq –i cili mburret për lidhjet e tij personale me presidentin rus, Vladimir Putin teksa Rusia vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – që pritet të fitojë një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të shtetit.

Votuesit më 3 prill po ashtu votuan për zgjedhjet parlamentare, në të cilat, Partia Përparimtare Serbe (SNS) po ashtu pritet të dominojë. Njëkohësisht u mbajtën zgjedhjet lokale për disa komuna, përfshirë edhe për kryeqytetin serb, Beogradin.

Në zgjedhjet parlamentare serbe morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.

Ndërkaq, serbët në Kosovë, me shtetësi të dyfisht votuan në komunat brenda Serbisë, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi që këto zgjedhje të mbahen brenda territorit të shtetit. Kosova tha se i kishte kërkuar Serbisë që t’i dërgonte kërkesë Qeverisë në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve, por Beogradi nuk pranoi.

Të dielën në mëngjes, më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë./Telegrafi/





Huazuar nga