Nagavci në kongresin e SBASHK-ut: Pagat e mësimdhënësve në Kosovë të përafërta me të rajonit

45


Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po mban kongresin e 8-të, ndërsa në fillimin e punimeve ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit para të pranishmëve foli për pagat e mësimdhënësve të Kosovës, duke thënë se janë të përafërta me të rajonit, më të mëdha se në Maqedoni të Veriut e pak më të vogël se në Shqipëri.

Ajo tha më tej se duke investuar në mësimdhënës, investojnë edhe te fëmijët dhe në të ardhmen.

“Janë mësimdhënësit më meritorët për suksesin e fëmijëve….Ju siguroj se si Ministri e Arsimit, në grupin punues që është duke punuar është duke punuar në draftin e Ligjit të pagave, jemi duke adresuar të gjitha padrejtësitë që ishin në ligjin e kaluar duke u munduar që të zhduken të gjitha pabarazitë”, tha ajo.

Ministrja më tej bëri të ditur se mbi 1,600 mësimdhënës janë konsideruar si tepricë teknologjike, kur kanë ndarë grantin specifik të arsimit për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve.

Nagavci tha se këtë vit janë rreth 14 mijë nxënës më pak se në vitin e kaluar, por tha se janë kujdesur që asnjë nga mësimdhënësit të mos mbetet pa punë, raporton Telegrafi.

Ministria e Arsimit tha më tej se kanë e kanë zgjidhur një problem të vjetër që me të drejtë e ka ngritur SBASHK-u, çështjen e mësimdhënësve me probleme shëndetësore.

U bë e ditur se për vitin 2022 janë ndarë 1 milion e 700 mijë euro për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, nga i cili do të përfitojnë rreth 300 mësimdhënës.

“Do të sigurohemi që ata që nuk janë mirë me shëndet të mos kenë edhe brengën financiare”, tha ajo.

Nagavci foli edhe për çështjen e angazhimit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, duke njoftuar se së shpejti do të nisin punën 100 asistentë, ndërsa tha se deri në fund mandatit synojnë t’i angazhojnë së paku 500 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ministrja e Arsimit anëtarëve të SBASHK-ut u tha se do të jenë në përkrahje të vazhdueshme, por tha se beson që fëmijëve tu ofrohet mësimdhënie cilësore dhe ambient i sigurt.

“Do të jemi në përkrahje tuaj të vazhdueshme dhe njëkohësisht besoj se do të punojmë bashkë që secilit nxënës t’i ofrohet një mësimdhënie cilësore, ambient i sigurt e i shëndetshëm për fëmijët. Do të marrim seriozisht çdo shqetësim tuaj dhe njëkohësisht insistoj në mirëkuptimin e bashkëpunimin tuaj që sfidat e vështirësitë t’i zgjedhim së bashku, duke i caktuar edhe prioritetet.

Unë dhe besoj që secili prej jush nuk dëshiron të jemi ndër vendet e fundit në vlerësimet ndërkombëtare…”, tha ajo. /Telegrafi/





Huazuar nga