Minat detare kërcënojnë rrugët tregtare në Detin e Zi

43


16:30 02/04/2022

Vendet që lagen nga Deti i Zi kanë zbuluar javët e fundit mina detare pluskuese. Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për vendosjen e tyre, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë.

Marina turke njoftoi se që nga fundjava e kaluar ka çarmatosur disa mina detare që pluskonin në Detin e Zi. Një nga minierat e neutralizuara gjendej në afërsi të Ngushticës së Bosforit, e cila për një kohë të shkurtër madje u mbyll për anijet e transportit.

Edhe ushtria rumune njoftoi se ka neutralizuar në fillim të javës një mjet shpërthyes lundrues që kishin zbuluar peshkatarët në brigjet e vendit.

Qindra mina – apo vetëm dhjetë?

Në fillim të javës së kaluar shërbimi sekret rus FSB dhe Ministria e Mbrojtjes në Moskë paralajmëruan se mina detare ukrainanase ishin shkëputur për shkak të një stuhie nga vendet ku ishin vendosur në bregdetin e qytetit Odesa.

Në fillim u fol për disa qindra mina që pluskojnë në Detin e Zi. Më pas Ministria ruse e Mbrojtjes e korrigjoi këtë lajm duke saktësuar se dhjetë nga rreth 370 minat e vendosura në brigjet e Odesës ishin shkëputur nga vendet ku ishin vendosur.

Ukraina e hodhi poshtë menjëherë këtë informacion si të rremë. Minat e zbuluara u përkasin rezervave të armatimeve të Ukrainës, por ato e kanë origjinën nga Sevastopoli në gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e ka pushtuar që nga viti 2014. Sipas Kievit Rusia po i lë qëllimisht  minat të pluskojnë në Detin e Zi në mënyrë që të dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Ukrainës.

“Të dy versionet janë të besueshme,” thotë Johannes Peters, ekspert për strategjinë dhe sigurinë detare në Universitetin e Kilit. Pamjet e publikuara tregojnë se kemi të bëjmë me modele të vjetra, ndoshta të prodhimit sovjetik, që kanë emblema ukrainase. Një njoftim të tillë kishin dhënë edhe autoritetet turke. Por e qartë është gjithashtu se “Më së voni që nga aneksimi i Krimesë, marina ruse ka akses në mina të tilla”.

Rrezik për transporti detar civil

Ndryshe nga minat tokësore për minat detare nuk ka marrëveshje ndërkombëtare që e ndalon përdorimin e tyre. Sipas Konventës së Hagës nuk minat ujore nuk duhet të lihen të pluskojnë si mall pa zot në ujërat ndërkombëtare. Por në kohë krizash dhe konfliktesh të armatosura shteteve u lejohet të vendosin në ujërat e tyre territoriale mina ujore për t’u mbrojtur nga sulmet nga deti.

Ukraina e respektoi marrëveshjen dhe i paralajmëroi kompanitë e transportit detar se ka minuar zona të mëdha të ujërave të saj bregdetare në veri-lindje të Detit të Zi. Sipas Marrëveshjes së Hagës teorikisht Kievi duhet të paralajmërojë edhe për çdo minë, që mund të shkëputet nga vendndodhja.

Pasi marina turke çarmatosi një nga minat e zbuluara në Ngushticën e Bosforit, autoritetet turke ndaluan deri në një njoftim të dytë edhe peshkimin në Detin e Zi gjatë natës. 

Ngushtica e Bosforit, që lidh Detin e Zi dhe Mesdheun, është një rrugë tregtare me rëndësi thelbësore për të gjitha vendet fqinje me përjashtim të Turqisë. Ngushtica e Bosforit është gjithashtu edhe vendi nga kalojnë anijet që eksportojnë grurë nga Rusia dhe – zakonisht – edhe nga Ukraina. Bllokimi i kësaj rruge detare ka shkaktuar pasiguri për transportin detar civil dhe mund çojë sërish në rritjen e çmimit të grurit dhe të prodhimeve të tjera./DW





Huazuar nga