Fierza nis mbushjen – Tv Klan

61


20:00 02/04/2022

Rriten 8 herë prurjet e lumenjve në kaskadë

Reshjet intensive të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit kanë rritur prurjet në kaskadën e Drinit me rreth 4 metra. Rrënojat e Kukësit të vjetër janë mbuluar sërish nga Liqeni i Fierzës. Megjithatë hidrocentrali vijon të mos prodhojë energji me qëllim që të ruajë rezervat ujore që u ulën në nivele historike për shkak të thatësirës së gjatë.

Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare prurjet e lumenjve që furnizojnë me ujë këtë basen kanë arritur aktualisht në 800 metër kub/sek. Niveli i liqenit të Fierzës është ngjitur në 263 metra, nga 259 metra që regjistronte në 28 mars, date kur prurjet ishin vetëm 100 metër kub/sec.

Megjithë përmirësimin e situatës hidrike në liqenin e Fierzës, sërish këto nivele janë larg kuotës optimale për prodhimin e energjisë elektrike, e cila duhet të jetë 271 metër. Ndërsa kuota maksimale shkon në 296 metra mbi nivelin e detit. KESH bën me dije se prodhimi ditor në të tre HEC-et është 15 993 MWh (ditor) ndërsa Rezerva Energjetike në vend është 350 GWh.

Sipas sinoptikanëve, reshjet intensive që parashikohen të zgjasin deri të martën e javës së ardhshme do të mundësojnë plotësimin e 70 deri 75% të kuotës mujore ujore në veri dhe veriperëndim të territorit.

Tv Klan





Huazuar nga