LDK-në e shqetësojnë deklaratat e zv.kryeministrit Bislimi për ikjen e mjekëve nga Kosova

34


Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se ikja masive e mjekëve nga Kosova, është shqetësuese dhe paraqet rrezik serioz për gjithë sistemin shëndetësor.

Sipas LDK-së vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti, 45 prej tyre janë larguar nga vendi.

“Numri i vogël i mjekëve në Kosovë gjithë këtë situatë e bën akoma më të rrezikshme”, thuhet në një reagim të LDK-së, transmeton Telegrafi.

Lidhja Demokratike e Kosovës i sheh me shqetësim të madh deklaratat e zv. kryeministrit të Kosovës rreth ikjes së mjekëve nga Kosova, duke e krahasuar vendin tonë me vendet e zhvilluara evropiane.

“Për dallim nga vendet që i ka përmendur zv. kryeministri, në Kosovë qytete të tëra veprojnë me vetëm nga një mjek familjarë, për gjithë territorin e tyre”, thotë LDK.

Sipas LDK-së, Qeveria e Kosovës nuk ka as strategji e as vullnet mbi trajtimin dhe parandalimin e fenomenit të ikjes së tyre.

“Ikja e një mjeku të shkolluar në vendin tonë, i kushton buxhetit të shtetit dhjetra mijëra euro. Kjo qeveri duhet të ndërmarrë me urgjencë hapa strategjik në parandalimin e kësaj dukurie, si ngritja e pagës për punëtorët shëndetësor e ndarja e specializimeve sipas kërkesave të institucioneve shëndetësore. Të gjitha këto në shërbim të ofrimit të kushteve të dinjitetshme për ta. Kosova nuk ka kapacitete sikurse vendet e zhvilluara që i ka përmendur zv. kryeministri në zëvendësimin e mjekëve”, thuhet në reagim.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e ka cilësuar sot si diçka normale ikjen e mjekëve nga Kosoca, sepse sipas tij, mjekët ikin edhe nga Gjermania.

“Po, kanë ikë mjekë gjithmonë në Kosovë, do të ikin gjithmonë. Por, a dinë ose shkojnë mjekët në Gjermani, jo pse është rritur popullsia në Gjermani, sepse edhe mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë. Kështu, edhe nga Gjermania ikin mjekë, pastaj shtrohet nevoja të vijnë prej Ukrainës, prej Kosovës, prej Italisë, prej Polonisë. Është vlerë e Bashkimit Evropian. Projektligji i ri (i pagave) nuk do ta bëjë pagën 6 mijë euro mjekëve që mos të kenë nevojë të shkojnë”, tha Bislimi të premten (sot), gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, gjatë debatit me opozitën për mosmiratimin e Projektligjit për pagat. /Telegrafi/





Huazuar nga