Kurti: Nderojmë diversitetin duke nderuar njerëzit me autizëm

48


Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ndjehet i kënaqur të jetë në ngjarjen e organizuar nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, “që bashkë ta shënojmë këtë ditë dhe të njohim e të çmojmë mënyrat e panumërta me të cilat njerëzit me autizëm kontribuojnë në familje e në shoqëri”.

“Kjo ditë le të na shërbejë për të rritur dhe shtuar njohuritë për autizmin, e për të ndryshuar botëkuptimet. Por edhe për të njohur e nderuar talentet dhe aftësitë unike të personave me autizëm, si anëtarë të çmuar të shoqërisë sonë”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se ndërgjegjësimin në rritje duhet ta përkthejmë në rritje të veprimit dhe të punës së përbashkët për të adresuar sfidat e shumta.

“Duke filluar nga ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e diagnostikimit dhe të ndërhyrjes së hershme. Dëshmitë shkencore tregojnë se ndërhyrja e hershme çon në rezultate pozitive të mëvonshme në jetë, për njerëzit me autizëm”.

Ai tha se vitin 2022 Qeveria e Republikës së Kosovës ua ka kushtuar personave me nevoja të veçanta, andaj  ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të punuar bashkë me institucionet dhe organizatat partnere.

Kurti tha se bashkë me organizatat partnere, prindërit e familjet, do të shtojmë angazhimin për të ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e barrierave sistematike me të cilat përballen njerëzit me autizëm në jetën e tyre të përditshme. Për të shtuar mbështetjen për personat me autizëm, në aspektin e edukimit, ofrimit të shërbimeve sociale e shëndetësore, kujdesit më të mirë, integrimit, solidaritetit e mundësive për avancim.

Kryeministri veçoi “Javën e Diversitetit”, që së shpejti do të organizojnë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe organizatat partnere, ku fëmijët me autizëm do të shprehin talentin e tyre në garën e vizatimit.

Gjatë këtij viti do të punësohen 100 asistentë në të gjitha komunat e Kosovës, për mbështetjen profesionale të fëmijëve, në mesin e tyre edhe të fëmijëve me autizëm. Kryeministri tha se do të mundësoj pjesëmarrjen efektive në klasë, ndërsa klasa gjithëpërfshirëse do të funksionojë për të arritur potencialin e të gjithëve pa dallim.

“Sot, pra e nderojmë diversitetin duke nderuar njerëzit me autizëm. Duhet t’i nderojmë çdo ditë me angazhimin dhe ndërveprimin tonë që t’u ofrojmë mbështetjen dhe kujdesin që u nevojitet, t’ua përmirësojmë cilësinë e jetës. Për të jetuar të pavarur, duke qenë bashkëpjesëmarrës në shoqëri. Për të shtuar ndjenjën e përkatësisë, për jetë me dinjitet edhe me plot mundësi”, tha kryeministri Kurti. /Telegrafi/





Huazuar nga