Grabitja në Prishtinë, reagojnë nga Shoqata e Bankave: Sektori bankar po ballafaqohet me numër të lartë të sulmeve të armatosura

42


Sot në orët e mëngjesit në Prishtinë ka ndodhur një grabitje e një banke, nga tre persona të armatosur.

Grabitja kishte ndodhur në orën 08:40 në një filiale banke në lagjen Dardania.

E pas kësaj grabitjeje, ka reaguar Shoqata e Bankave të Kosovës.

Shoqata ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të jenë më të përkushtuara për parandalimin, ndjekjen dhe zbulimin e këtyre rasteve.

“Në mëngjesin e ditës së sotme është sulmuar një filial i një banke komerciale, me ç‘rast është kryer grabitje e armatosur, duke tronditur stafin, klientët e bankës dhe qytetarët në vendin e ngjarjes. Shoqata e Bankave të Kosovës e dënon këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të jenë më të përkushtuara për parandalimin, ndjekjen dhe zbulimin e këtyre rasteve dhe njëkohësisht kërkojmë që institucionet e drejtësisë të sigurojnë faktet e nevojshme për të shqiptuar dënimet më të larta sipas ligjit të cilat do të dekurajonin këto sulme që cenojnë rëndë jetën dhe pronën në Kosovë”, thuhet në reagim .

Shoqata e Bankave të Kosovës thekson se në vitet e fundit sektori bankar është ballafaquar me numër të lartë të sulmeve të armatosura, gjë që paraqet një shqetësim serioz për këtë sektor.

“Siguria e bizneseve për të afaruar lirshëm është e garantuar dhe duhet të mbrohet me çdo kusht nga institucionet e sigurisë, prandaj kërkojmë veprime konkrete dhe të menjëhershme nga autoritetet përkatëse për të ofruar një ambient të sigurt për bizneset dhe qytetarët në Kosovë”, thuhet më tej. /Telegrafi/





Huazuar nga